Aeroporti i Rinasit nis shërbimin e mallrave me avion “Kargo”
Për herë të parë një avion transportues “A 310-300”, i dedikuar vetëm për transport mallrash, ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, duke diversifikuar kështu shërbimet ndaj klientëve. Sipas TIA-s, "tani e tutje, ky avion nën drejtimin e ‘Turkish Airlines’, do të shërbejë për transportin e mallrave midis Turqisë, Italisë dhe Shqipërisë".
Shërbimi i ri filloi më 7 qershor 2009 dhe ka frekuencë një herë në javë. Itinerari i tij i plotë është Stamboll-Tiranë-Milano-Stamboll, dhe mbërrin në Tiranë çdo të dielë në orën 11:45. TIA bën të ditur se të gjitha llojet e mallrave mund të transportohen në itinerarin e lartpërmendur, duke përfshirë këtu dërgesa si personale, ashtu edhe biznesi. Kapaciteti maksimal i ngarkesës së mallrave për avionin “A 310-300” është 36.000 kg dhe 200 m3.
“Turkish Cargo” u ofron klientëve një shërbim të plotë brenda itinerarit të tij. Dërgesa për rrugë të gjata janë gjithashtu të mundshme për pjesën më të madhe të mallrave, pasi për transportin e tyre janë të përfshirë frigoriferë dhe dhoma me ftohje. Sipas TIA-s, përmes kësaj linje klientët do të kenë mundësi për dërgesa mallrash me karakteristika të veçanta, si mallra me vlerë, kafshë të gjalla apo edhe mallra "problematikë". Të gjitha kombinimet e lartpërmendura mund të përdoren për shpërndarjen e mallrave në te gjitha destinacionet e linjës.
11 Qershor 2009