E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksioni i IQT-së mbyll 80 pika të paligjshme të tregtimit të gazit



Inspektorati Qendror Teknik pas kontrolleve të nisur në muajin prill në të gjithë vendin, ka mbyllur deri tani rreth 80 pika të paligjshme të gazit, pasi rezultuan si subjekte të rrezikshme për sigurinë e qytetarëve. "Grupet e kontrollit me përfaqësues të strukturave të IQT-së, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, Shpëtimit dhe Inspektorati i Ndërtimit, të mbështetura nga forcat e policisë konstatuan se këto pika ishin të paligjshme dhe tregtonin jashtë kushteve të sigurisë",- ka deklaruar Kryetari i IQT-së, Ilir Kurti. Sipas tij, qytetarët nuk duhet të bëjnë mbushjen e jashtëligjshme të bombolave të gazit në këto pika, por në pikat e licencuara për tregtim. Kryetari i IQT-së, Kurti shtoi se grupet e kontrollit do të vazhdojnë këtë aksion për zbulimin e të gjitha pikave të tregtimit të paligjshëm të gazit në të gjitha qytetet e vendit. Gjatë vitit 2008, IQT-ja çoi për ndjekje penale 7 subjekte të mbushjes së gazit në Tiranë, bllokoi 16 autogaze, ndërsa rezultoi se rreth 47 njësi të mbushjes së gazit në gjithë vendin nuk ishin të pajisura me autorizimin përkatës nga bashkitë. IQT-ja ka ndërmarrë që nga muaji prill aksione kontrolli, sipas bashkëpunimit të vendosur mes ministrive të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe asaj të Brendshme.

11 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›