E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremlini heq nga vitrinat librin e Stalinit

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Dje shtëpia botuese ruse “Atticus”, pezulloi publikimin e një prej librave më të vlerësuar të historianit rus Orlando Figes, që shkruan për jetën e Stalinit. Botuesi tha se libri do të tërhiqej nga vitrinat për shkak të kushteve ekonomike, por historiani, autor i tij, nuk është i të njëjtit mendim. Figes beson se vendimi është marrë për shkak të presionit politik të Kremlinit, i cili kërkon me çdo kusht që të rehabilitojë figurën e ish-udhëheqësit rus. “Libri im “Pëshpëritësit” (Jeta private në Rusinë e Stalint), është i papërshatshëm për regjimin e sotëm të Rusisë”, – tha autori i tij. Përveç hulumtimit në arshivat e qindra familjeve, libri sjell mijëra intervista me të mbijetuar të regjimit stalinist, të bëra në bashkëpunim me qendrën e kërkimeve historike të të drejtave të njeriut, “Memorial”, e cila është kandiduar për të marrë dhe çmimin “Nobel” për paqen”. Më 4 dhjetor, një grup i maskuar nga komiteti i hetimeve të zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme Ruse, hyri me forcë në zyrat e “Memorial”-it në Shën Pjetërburg. Pas kërkimeve ata sekuestruan kompjuterët që kishin të gjithë arshivën e qendrës së kërkimeve historike të të drejtave të njeriut në këtë qytet: të gjitha të dhënat me informacionet biografike të të përndjekurve; detaje për varret e tyre në Shën Pjetërburg; dhe kaseta të transkriptimeve të intervistave me të mbijetuarit dhe dëshmitarët. “Të gjitha materialet që kisha grumbulluar, së bashku me “Memorialin” për librin u sekuestruan gjithashtu. Kjo bastisje është pjesë e një lufte ideologjike për të kontrolluar atë çka i serviret lexuesit, dhe ky mund të jetë shkaku pse “Atticus”, ndërpreu kontratën me mua”, - tha Figes. “Kremlini ka qenë tepër energjik për të rehabilituar figurën e Stalinit. Qëllimi i tyre është jo të dënojë krimet e tij, por të vërë në dukje arritjet dhe kontributin që ai ka si një nga ndërtuesit e së shkuarës së lavdishme ruse. Ata duan që rusët të krenohen me të shkuarën e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe jo të ndihen fajtorë për shtypjet e periudhës staliniste”. Në një konferencë në qershor të vitit 2007, presidenti Vladimir Putin u bëri thirrje mësuesve që ta portretizonin periudhën pas Luftës së Dytë Botërore pozitivisht. “Ishte Stalini ai që e shndërroi Bashkimin Sovjetik në të pamposhtshëm, që fitoi luftën kundër Hitlerit, dhe “gabimet” e tij nuk ishin më të rënda se krimet e vendeve perëndimore”, - u shpreh Putini. Librat që ndalen më tepër në përshkrimet e “Terrorit të Madh” dhe “Gulagut” (agjencisë shtetërore administruese e kampeve burgje të punës në Rusi), u censuruan. Historianët u sulmuan si antipatriotë, për theksin që u kishin vënë krimeve të Stalinit. Shteti ka librat e tij, “Historia moderne e Rusisë (1945-2006)”. Por ka dhe një libër mësuesi, që sipas autorit të tij, Pavël Danilin, synon që ta prezantojë historinë ruse jo si “ngjarje pikëlluese fatkeqësish dhe gabimesh, por si farë rrënjosëse e krenarisë së vendit të tyre”. “Kjo është mënyra se si mësuesit duhet t ua mësojnë historinë fëmijëve dhe jo duke hedhur baltë mbi atdheun”, - tha autori i tij. Danilin është i njohur i Gleb Pavlovskit, një nga këshilltarët e presidencës dhe redaktor i gazetës “Russian Journal” që kërkon të krijojë dhe bazën intelektuale për “demokracinë putiniane”. Madje, kjo gazetë ka publikuar dhe një artikull ku pajtohej me sulmin ndaj “Memorial”–it, dhe e akuzonte atë se kishte rënë në duart e historianëve të huaj që kërkonin të njollosnin historinë e Rusisë, duke u fokusuar në krimet e Stalinit. “Pëshpëritësit”, është përkthyer në 22 gjuhë të ndryshme të botës, ku përfshihen të gjitha gjuhët evropiane dhe ato të ish-Bashkimit Sovjetik, “përveç rusishtes”.
Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›