Kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë, siç e meriton një komb mbijetues si shqiptarët

Qeveria ngre komision shtetëror për organizimin e ceremonive festive. Do të thirren përfaqësues nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe diaspora e Europës dhe e SHBA-së
Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike deklaroi se qeveria shqiptare do të ngrejë një komision shtetëror i cili do të angazhohet për përgatitjen e vendit për kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë.
“100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë ishte dhe mbetet ngjarja më e madhe në historinë kombëtare të shqiptarëve. Kjo ngjarje duhet të pritet, të festohet në mënyrën më dinjitoze dhe me të gjithë angazhimin e merituar, për një kremtim sa më të qytetëruar e më dinjitoz të kësaj ngjarje të madhe. Kjo është një ngjarje që shënon ditëlindjen, sepse pavarësitë konsiderohen si datëlindjet moderne të kombeve. Kombi është mijëra vjeçar, por pavarësia shënon ditëlindjen e tij të re”, kështu u shpreh kryeministri Berisha në fjalën e hapjes së mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar.
Kreu i qeverisë ka theksuar se duhet të shqyrtohet dhe të trajtohet në të gjitha rrafshet, të shkruhet në muret e kohës, nderimi që iu bë kësaj ngjarje në 100 vjetorin e saj.
Nderimi që i behet Shqipërisë 100 vjeçare, shtetit 100 vjeçar shqiptar, shtetit të ri. Duke e cilësuar 100 Vjetorin e Pavarësisë si ngjarje të madhe e cila kërkon edhe angazhimin maksimal theksoi se në kuadër të kësaj dite janë marrë edhe dy vendime të rëndësishme siç ndërtimi i Parlamentit dhe Stadiumit të ri.
“Nuk mund të kishte vendim më të drejtë, më të goditur, më të arsyetuar dhe nuk mund të nderoje me asgjë më shumë shtetin shqiptarë në 100 vjetorin e tij, sesa me ndërtimin e tempullit të demokracisë shqiptare, ndërtimin e Parlamentit, ndër më modernët në Evropë, ndërtimin e stadiumit të ri të Tiranës, i cili duhet të pasqyrojë e të gërshetojë traditën, por edhe format më bashkëkohore të arkitekturës të stadiumeve sportive”, deklaroi më tej kryeministri Berisha.
Më tej në fjalën e tij kreu i ekzekutivit theksoi se, “100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë kërkon një nderim shumë planesh në të gjitha rrafshet si në rrafshin historik, kulturor, artistik ndaj dhe për këtë qëllim që ta kremtojmë me dinjitetin ngjarjen më madhore do të krijohet një komisionin shtetëror i cili do të ketë në përbërje përfaqësues të shquar të fushave të ndryshme por edhe përfaqësues të shquar nga të gjitha vendet si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Diaspora”, u shpreh Berisha ndërsa shtoi se një kontribut për pavarësinë kanë edhe shqiptarët në këto shtete.
Kreu i qeverisë ka theksuar më tej se tashmë dihet se kryengritjet e mëdha që sollën pavarësinë e Shqipërisë u bënë në Kosovë. Kjo është e vërteta. Tashmë është shumë e ditur dhe e njohur fakti se Ded Gjo Luli ngriti flamurin dhe udhëhoqi një lëvizje të fuqishme për pavarësinë në të gjitha trevat shqiptare, një pjesë e të cilave sot janë në Malin e Zi. Po kështu, trevat shqiptare që ndodhen sot në Maqedoni kanë kontributin e tyre të madh, shtoi më tej kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në kontributin që ka luajtur diaspora në pavarësinë e Shqipërisë, nënvizoi ndër të tjera se po t’i hedhim një vështrim shtypit të kohës, kryengritjet e shqiptarëve për pavarësisë kanë pasur pasqyrimin më të madh në shtypin botëror. Diaspora shqiptare ishte angazhuar e tëra në suksesin e këtij procesi.
Kryeministri Berisha duke e vlerësuar kryengritjet e atëhershme të Shqiptarëve për pavarësinë e Shqipërisë theksoi se kjo veprimtari shumëformëshe duhet tashmë të jetë vepër e një komisioni me përfaqësues ndër më të shquarit, të fushave përkatëse, politikanë dhe jo politikanë, studiues e krijues të këtyre fushave.
Berisha shtoi me tej se komisioni shtetëror duhet të përfaqësojë spektrin e tërë të vendit dhe të ketë një pjesëmarrje të të gjithë atyre faktorëve që u angazhuan fuqishëm në realizimin e aktit madhor shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë nën udhëheqjen e Ismail Qemalit.
“Është e domosdoshme që kjo periudhë të shërbeje për një ridimensionim të plotë të qëndrimeve ndaj etërve të pavarësisë, të cilët në tërësinë e tyre, përveç Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, pothuajse u bënë të paqenë nga regjimi Hoxhist. Në përpjekjen e tij paranojake për të zëvendësuar çdo gjë me kultin e tij, faktikisht, themeluesit e pavarësisë, firmëtarët e deklaratës patën si shpërblim ndëshkimet e pamerituara, fshirjen e turpshme të firmave mbi aktin madhor të ditëlindjes së kombit, persekutimin e egër të të gjitha formave të tyre dhe familjeve të tyre”, deklaroi më tej kreu i qeverisë Berisha.
Berisha theksoi ndër të tjera se në përgatitjet për kremtimin e 100 vjetrit të pavarësisë së Shqipërisë do të angazhohen ministri, agjenci të shumta, institucione kërkimore shkencore, institucionet artistike dhe shoqëria civile.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që historia me vërtetësi të rivlerësojë veprën e tyre të madhe. Ne do të bëjmë gjithçka që të nderojmë me dinjitetin më të madh veprën e pavdekshme të atyre që bënë të mundur Shqipërinë e pavarur. Shqipëria e pavarur ishte arritja më e madhe në shekuj e shqiptarëve”, nënvizoi kreu i qeverisë Berisha.
Më tej duke u ndaluar në historinë e Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Berisha theksoi se Pavarësia e Shqipërisë, sado që u shoqërua me barbari të madhe në troje të tjera shqiptare, në copëtimin e tyre në 5 shtete, sërish u bë faktor kryesor që kombi të qëndrojë dhe të luftojë për të ardhmen e tij të lirë. Pavarësia e Shqipërisë ishte faktor përcaktues në të gjithë përpjekjet kombëtare për liri dhe dinjitet, kudo që u bënë, deklaroi ndër të tjera Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij kreu i qeverisë Berisha vuri theksin tek roli i veçantë i Parlamentit Shqiptar por edhe të të gjitha institucioneve. Ai bëri me dije se qeveria shqiptare do të ngrejë një komision shtetëror i cili do të angazhohet për përgatitjen e vendit për kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë. “Le të ngremë këtë Komision Shtetëror, i cili do të ketë një Sekretariat Teknik, në mënyrë që ta shndërrojmë këtë ngjarjen më të rëndësishme kombëtare të vitit 2012 dhe ta presim atë me dinjitetin më të madh”, përfundoi fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar kryeministri Berisha.