Flet mjekja Moza Keta: “Një në gjashtë gra e prekur nga kanceri i gjirit”
Kanceri i gjirit është një tumor malinj që zhvillohet nga qelizat e gjirit, dhe është një prej kancereve më të shpeshtë që prek femrat. Mjekja Moza Keta, shpjegon se, ky kancer mund të evitohet nëse kapet që në fazat e para të zhvillimit të tij. “Nga të dhënat statistikore, në vendin tonë 1 në 6 gra është e prekur nga kanceri në gji” shprehet doktoreshë Keta. Sipas kësaj të fundit, lindin premisa për sëmundje të atilla që në rast se nuk u kushtohet rëndësi që në fillim, mund të ketë pasoja të pakorrigjueshme. Kërkime të fundit tregojnë se grupi i moshave mbi 50 vjeç ka një nivel të lartë rrezikshmërie, në anën tjetër, grupi i moshave nën 20 vjeç kanë nivel më të ulët rreziku. Duhet thënë se kjo sëmundje është shumë agresive për grup moshat midis 25-50 vjeç. “Një fakt tjetër që nuk duhet lënë pa u marrë në konsideratë është dhe cikli menstrual veçanërisht për zonjat që kanë një jetë të gjatë menstruale, për shembull atyre që u vijnë menstruacionet shumë herët dhe u ikin shumë herët” tha Moza.
Të rrezikuarat
Doktoreshë Moza thotë se kanceri i gjirit zhvillohet më shumë në gratë e martuara të cilat nuk kanë lindur ndonjëherë fëmijë, ose që kanë lindur fëmijë por nuk i kanë ushqyer me gji bebet e tyre. Femrat të cilat kanë pasur më parë kancer në njërin gji kanë rrezikshmëri më të lartë të zhvillimit të kancerit në gjirin tjetër, dhe nëse kanë pasur në brezat e mëparshëm të familjarëve të tyre me kancer( nëna, motra dhe fëmijë), atëherë ka gjithashtu rrezikshmëri të lartë. Kanceri i gjirit është i lidhur dhe me obesitetin dhe marrjen e lartë të yndyrave. Femrat të cilat kanë përdorur kontraceptivë oralë për më shumë se 10 vjet janë më të predispozuara ndaj kësaj sëmundjeje. Në anën tjetër, femrat të cilat bëjnë ushtrime fizike 4-5 orë në javë zvogëlojnë rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Faktet e sipërpërmendura rrjedhojën nga analiza statistike. Femrat të cilat pinë duhan dhe alkool rrisin rrezikshmërinë e zhvillimit të kancerit të gjirit.
Ekzaminimi
Ekzaminimi i gjirit fillohet rreth moshës njëzet vjeçare nga vetë gruaja/vajza. Sipas mjekes Keta, ai bëhet shtatë deri dhjetë ditë pas fillimit të çdo cikli menstrual. “Me dorë, lehtë kontrollohen gjinjtë nga poshtë lart, dhe në rast se konstatohen masa në gji, menjëherë duhet të bëhet vizita mjekësore te mjeku specialist onkolog ose gjinekolog. Nga mosha njëzet deri dyzet vjeçare çdo tre muaj behet ekzaminimi te mjeku specialist, i cili do te kërkoje te behet periodikisht dhe testi i Papanikolaut. Nuk duhet harruar asnjëherë vetëkontrolli i gruas ne periudhën e ndërmjetme te ekzaminimit nga specialisti” shprehet Keta. Pas moshës dyzet vjeçare, gruaja duhet të bëjë mamografi në çdo dy vjet, pa harruar vetë ekzaminimin mujor dhe ekzaminimin tre mujor të specialisti. Me fillimin e menopauzës vetëkontrolli i gjirit bëhet ditën e parë të çdo muaji, ndërsa një herë në tre muaj ky kontroll bëhet nga mjeku specialist dhe çdo dy vjet bëhet mamografia. Në paraqitjen figurative jepet teknika dhe radha e kryerjes së vetë ekzaminimit të gjirit.
Mosha
Koha e kryerjes
Kush e kryen
Fillohet nga
mosha 20 vjeç
7-10 ditë pas fillimit të ciklit menstrual
Vetë ekzaminim
Nga mosha
20-40 vjeç
Sa më sipër PLUS çdo tre muaj
Ekzaminim të specialisti
Nga mosha
40 vjeç e lart
Sa më sipër PLUS çdo dy vjet
Mamografi
Në menopauzë
Ditën e parë të çdo muaji
Vetë ekzaminim
Çdo tri muaj
Ekzaminim te specialisti
Çdo dy vjet
Mamografi
25 Shkurt 2010