Universitetet, Kryeministri kërkon ndryshimin e raportit student-pedagogë
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, kërkoi dje nga Ministria e Arsimit, që në bashkëpunim me rektorët e universiteteve, të bëhen ndryshimet e nevojshme në kuadrin ligjor, duke përcaktuar kritere të reja përsa i përket raportit studentë-pedagogë. Sipas kreut të qeverisë, ky raport duhet të ndryshohet, pas rritjes së vazhdueshme të numrit të studentëve. “Ka disa probleme që kërkojnë ndërhyrje urgjente, probleme të krijuara para së gjithash nga rritja me shpejtësi të madhe të numrit të studentëve. Në qoftë se studentët në fakultet janë trefishuar, pedagogët në universitet ende nuk janë dyfishuar. Ky përbën një kërcënim serioz për cilësinë e tyre. Raporti student, pedagog, në tërësi, është absolutisht i papranueshëm. Ai raport ka qenë deficitar edhe 4 vjet më parë, mendoni se si është bërë ai tani”,- ka deklaruar kryeministri. Në këtë kontekst, kryeministri deklaroi se nuk po përcakton se sa duhet të jetë raporti i stafit pedagogjik me studentët, por ka një raport që varion nga 10 tek 25 tek universitet publike. Sipas tij, nuk mund të jemi tek 25, as nuk mund të zbresim tek 10, se nuk zbresim dot.
Arsimi finlandez
Tafaj: “Një nga sistemet elitare, që duhet ndjekur”
Ambasadori i Finlandës në Shqipëri, Erkki Huttinen prezantoi dje para drejtuesve të arsimit në vend “Sistemin arsimor finlandez, një nga sistemet elitare”. Ambasadori i Finlandës, duke prezantuar sistemin arsimorë të këtij shteti, ka deklaruar se ka asnjë mësues nuk mund të japë mësim, pa u pajisur me Master. Gjatë prezantimit të këtij sistemi ka qenë i pranishëm edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Në fjalën e tij përshëndetëse, ministri Tafaj deklaroi: “Ne kemi projektuar reforma të tjera, nëpërmjet të cilave do të përfundojmë modelin më të përshtatshëm të arsimit tonë parauniversitar dhe universitar. Do të jenë reforma që do të fokusohen drejt interesave më të mira për çdo nxënës e student, çdo prind dhe çdo mësues e specialist të fushës, të gjitha nivelet të sistemit. Grupet e punës të ngritura janë duke vizituar sistemet më të mira në Europë dhe e më gjerë, dhe duke sjellë eksperiencat më të arrira të reformave arsimore”.
Specializimi i mjekëve
Egjipti, ofertë për kurse trajnimi afatshkurtra
Universiteti “Mansura” në Egjipt, në bashkëpunim me Fondacionin Egjiptian për Bashkëpunimin Teknik, organizojnë kurse afatshkurtra për mjekët shqiptarë, sipas tematikave të mëposhtme: “The international training course on Uro-laparoscopy”, 02-06 Maj 2010; “Teeth deformation in Children”, 18-25 Nëntor 2010. Aplikantët, për ndjekjen e këtyre kurseve duhet të kenë njohuri të mira të Gjuhës angleze. Ata duhet të paraqesin pranë sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dhe dokumentet e mëposhtme: fotokopjen e pasaportës; kopjen e diplomës së mbarimit të studimeve të larta; dëshminë për njohjen e Gjuhës angleze; CV; 1 fotografi 4 cm x 6 cm. Shpenzimet e akomodimit dhe të ushqimit mbulohen nga pala egjiptiane, ndërsa shpenzimet e udhëtimit do të mbulohen nga vetë pjesëmarrësit. Afati i fundit për pranimin e dokumentacionit është data 01.04.2010.
25 Shkurt 2010