E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, gati shpallja e 130 fituesve për 500 milionë lekë

 

BLEDAR HOTI

Lista e pronarëve fitues do të shpallet nga ana e Agjencisë së Kthimit të Pronave brenda javës së ardhshme. Sipas AKKP-së, shpërndarja e fondit prej 500 milionë lekësh do të nisë si proces brenda javës së ardhshme. Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genci Çelo, në një prononcim për gazetën “Panorama” shprehet se “javën e ardhshme pritet të shpallen ish-pronarët, që do të përfitojnë nga ndarja e fondit prej 500 milionë lekësh”. “Po punohet intensivisht për ndarjen e fondit të akorduar nga ana e qeverisë. Nga java e ardhshme mendojmë të shpallim listën e fituesve të subjekteve të shpronësuara”, deklaroi Çelo. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që prej 3 dhjetorit është përfshirë në verifikimin e dosjeve të depozituar nga ish-pronarët, për t’u kompensuar financiarisht. Në listë për ndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh janë 740 ish-pronarë nga e gjithë Shqipëria. Nëndrejtori i Përgjithshëm, Genci Çelo thekson se gjatë verifikimit të dosjeve ka pasur eliminime të ish-pronarëve nga ky proces, pasi është konstatuar që një pjesë e ish-pronarë kanë përfituar tokë më përpara, në bazë të ligjit 7501. Vitin e kaluar numri fitues ishin 119 subjekte të shpronësuar. Për vitin 2008 parashikohet që të kompensohen më shumë ish-pronarë, pasi numri i përfituesve do të jetë nga rrethet e tjera. Më pak përfitues pritet të jenë nga qyteti i Tiranës. Parashikohet që numri i përfituesve të shkojë në rreth 130 ish-pronarë. Sipas Çelos, lista e fituesve nuk është shpallur për shkak se AKKP-ja është në proces të verifikimit të plotë të disa dosjeve, nëse janë të sakta ose jo. Procedura e shpërndarjes së fondit është e njëjta me atë të vitit të kaluar. Ish-pronarët që do të shpallen fitues duhet të hapin më pas një llogari rrjedhëse në bankë, në mënyrë që AKKP-ja të realizojë derdhjen e fondit të përfituar. Ndërsa Agjencia e Kthimit të Pronave do të shpallë fituesit, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim, që nuk kanë përfituar nga kompensimet financiare të mëparshme, të kompensohen sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit dhe data e tij sipas viteve. Vlera e kompensimit është deri në 200 m² të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim. Skema e përfitimit, e përcaktuar me vendim qeverie, bën që në këtë ndarje fondi më të favorizuar të jenë ish-pronarët që kanë njohje të vendimit të pronësisë që nga vitit 1993 e më prapa. Ndërsa kompensimi financiar, sipas nëndrejtorit Çelo do të bëhet mbi bazën e hartës së vlerës së tokës, të miratuar në fillim të vitit 2008 nga ana e qeverisë. Çmimet e reja të publikuara për Tiranën, Durrësin dhe qytetet e tjera. “Përderisa nuk ka asnjë vendim të publikuar në Fletoren Zyrtare mbi çmimet e reja të hartës së vlerës, ne do të zbatojmë çmimet që kanë qenë më parë”, deklaroi Çelo. Qeveria çmimet e reja të publikuara ende nuk i ka miratuar përfundimisht, për shkak se duhet të rishikoheshin edhe një herë nga grupi i ekspertëve.

Skadon afati i njohjes së pronave, gati kërkesa për amendimin e ligjit

Shoqata “Pronësi me Drejtësi”, me anë të një deklarate, i kërkon qeverisë dhe Parlamentit që shtyjnë afatin ligjor për depozitimin e kërkesave pranë AKKP-së për njohje dhe kompensim prone. Përfaqësuesi i kësaj shoqate, Myrshit Vorpsi, në një deklaratë për median bëri të ditur kërkesën për amendimin e Ligjit për Pronat. Në ligjin aktual, afati për dorëzimin e kërkesa nga ana e ish-pronarëve, ishte 31 dhjetori i vitit 2008. Tashmë që gjithçka është përfunduar, ish-pronarët shprehen se nuk kanë më mundësi ligjore se cilit institucion do t’i drejtohen për kompensimin fizik apo financiar të pronës. “Parlamenti dhe qeveria duhet të amendojnë një nen të tillë, pasi ka shumë ish-pronarë që për shkak të konflikteve, apo burokracive shtetërore, nuk kanë mundur që të depozitojnë kërkesat e tyre pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pro-nave”, deklaroi Vorpsi. Shoqata “Pronësi me Drejtësi ka propozuar që ky afat të shtyhet deri në qershor të vitit 2009. Propozimi i hedhur nga shoqata “Pronësi me Drejtësi” ende nuk ka gjetur mbështetjen e partive të maxhorancës në Kuvend. Edhe më parë shoqata pati ngritur këto pretendime gjatë diskutimit të amendimeve të ligjit të pronave. Por një kërkesë e tillë nuk u pranua nga maxhoranca e djathtë. Nëse ky propozim nuk merret në konsideratë për ish-pronarët, e vetmja mundësi mbetet ballafaqimi i tyre me Gjykatën për pretendimet që kanë pronën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›