Viktimat e motit, një vdes, një tjetër zhduket në borë
PESHKOPI/ PUKE
Moti i keq regjistron viktimat e para. Një person humbi jetën, pasi rrëshqiti në rrugën e ngrirë në periferi të Pukës, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur në borë në Reç të Dibrës. Dhe pse reshjet e dëborës kanë ndalur prej dy ditësh, rrugët që lidhin komunat e thella të zonave veriore e verilindore janë ende të izoluara. Sipas burimeve nga Shtabi i Emergjencave Civile në Dibër, prej 4 ditësh është zhdukur 34-vjeçari nga fshati Reç, Hysen Leka. Banori i një prej zonave të bllokuara nga bora ishte larguar më 3 janar për te dentisti, por nuk dihet fati i tij. “Prej disa ditësh, forca të komisariatit të Dibrës e familjarë të tij janë vënë në kërkim të të humburit, në fshatin e lindjes e tek të afërm në Peshkopi”, pohoi dje drejtori i policisë së Dibrës, Ali Elezi. Në polici kanë mbërritur telefonata të ndryshme se e kanë parë Lekën në Peshkopi, por ai nuk është gjetur ende. Ndërsa në Pukë, Agim Kuka, 46 vjeç, humbi jetën. Ai u gjet paraditen e djeshme i pajetë, në anë të rezervuarit të Pukës. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës pohojnë se Kuka ka vdekur aksidentalisht, pasi i ka rrëshqitur këmba në akull, për të përfunduar buzë rezervuarit. Dyshohet se Kuka ka qenë i dehur në ato momente dhe temperaturat e ulëta kanë provokuar vdekjen e tij të menjëhershme.
Gjatë ditës së djeshme, Shtabi i Emergjenca në Ministrinë e Brendshme ka nisur punën për të shpërndarë ndihma në ushqime e veshmbathje në zonat e bllokuara nga bora. Helikopterët janë nisur në drejtim të komunave në veri e verilindje. Deri dje në orën 14:00 mësohet se ishin dërguar 64 kuintalë ndihma në komunat Arrën, Lurë, Iballë, Macukull, Xibër, Martanesh, Zapod, Kala e Dodës. Prefekti i qarkut Dibër, Xhafer Seiti, pohoi dje se kryetarët e organeve të qeverisjes vendore janë porositur që ndihmat në ushqime duhet të shpërndahen për familjet më në nevojë, kryesisht për familjet e varfra që nuk kanë patur mundësi të sigurojnë rezerva dimërore. “Kemi porositur që të mos abuzohet me këto ndihma. Ato nuk duhen shpërndarë sipas lidhjeve që drejtuesit e komunave kanë me njerëzit e tyre dhe as për militantët e partive politike”, pohoi Seiti. Sipas burimeve nga Shtabi i Emergjencave, një pjesë e madhe e rrugëve nacionale janë të kalueshme, dhe pse nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Problematik është aksi Kukës-Shishtavec, i bllokuar për shkak të ortekëve dhe rrëshqitjes së skarpateve. Në Kukës vijojnë të mbeten të bllokuara komunat Zapod, Shishtavec, Kalisë, Bushtricë, Grykë-Çajë dhe Arrën. Në Tropojë mbetet e bllokuar komuna Lekbibaj. Në Mat është ende e bllokuar komuna Xibër, rrugët që lidhin komunën Trebisht të Bulqizës e komunat Reç, Selishtë e Lurë të rrethit të Dibrës. Qarku i Shkodrës ka sërish të bllokuar rrugën që lidh Shkodrën me komunat Shalë, Shosh, Pult dhe Temal. Në Malësinë e Madhe e bllokuar mbetet rruga Selcë-Vermosh. Në rrethin e Pukës të bllokuara mbeten pjesa më e madhe e rrugëve që lidhin Pukën me komunat dhe rruga Fushë Arrëz-Iballë. Në Qarkun e Lezhës po punohet për zhbllokimin e aksit Rrëshen-Kurbnesh-Lurë dhe Rrëshen-Kaçinar, ndërkohë të gjitha akset e tjera rrugore janë të kalueshme.