Patozi: Rikompozimi i KQZ-së, prioritet i Kuvendit
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha dje për mediat se “rikompozimi i KQZ-së sipas formulës së Kodit të ri Zgjedhor do të jetë prioritet i axhendës parlamentare, në fillim të sesionit të ri”. “Rikompozimi i institucionit zgjedhor besoj se do të jetë një çështje, të cilën Parlamenti do ta konsumojë që në seancat e para të tij”, u shpreh kryetari i deputetëve demokratë për gazetarët. Në këtë kuadër, sipas tij, është shumë i rëndësishëm rikonformimi i vullnetit të maxhorancës që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jenë të lira, demokratike dhe konform standardeve. “Kryesfida e maxhorancës, por do të thosha e gjithë politikës, mbetet mbajtja dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ne kemi bindje absolute që kjo do të ndodhë për shkak se kemi përshkuar shumicën e rrugës me shumë sukses dhe besoj se ka një vullnet të palëkundur të të gjithë strukturave të maxhorancës për t’i garantuar këto zgjedhje të lira e të ndershme, në qershor të këtij viti”, deklaroi Patozi. Kreu i deputetëve demokratë, nisur nga fakti se sesioni i ri parlamentar është dhe i fundit për këtë legjislaturë, tha se “demokratët do të rikonfirmohen fitues në këtë garë parlamentare”. “PD-ja është në një fazë zgjedhjesh, gjë që do të sjellë dhe forcim të strukturave të saj, për të siguruar edhe një mandat tjetër qeverisës”, u shpreh Patozi, njëkohësisht nënkryetar i PD-së.