E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrimi i një kryevepre, “Getsbi i Madh” i Fixheraldit



Stavri PONE
Është moralisht dhe kulturalisht e pafalshme të marrësh në dorë një vepër të letërsisë së huaj, ta përkthesh atë në shqip dhe ta masakrosh. Aq më tepër kur fjala është për një kryevepër, siç është romani “Getsbi i Madh” i shkrimtarit të shquar amerikan Skot Fixherald, bashkëkohës i Heminguejit. Që nga koha e botimit të tij të parë (1925) ky roman ka ardhur duke fituar përherë e më shumë popullaritet dhe sot renditet ndër veprat më të bukura të letërsisë amerikane. Ai bën fjalë për Xhej Getsbin, një i ri ambicioz, që nxitet nga dëshira për t’u pasuruar, futet në kontrabandën e pijeve alkoolike, vë pasuri, shtron dreka, darka e ballo madhështore dhe synon që me statusin e tij të ri të pasanikut (nga një i varfër i dikurshëm), të bashkohet me ish-të dashurën e tij Dejzi, tashmë e martuar. Përpjekjet e tij në këtë synim janë dramatike dhe të ethshme dhe në rrjedhën e ngjarjeve, të treguara nga Nik Karrauej, Getsbi dora-dorës zbulohet si një njeri i rëndomtë, pa aureolën e madhështisë me të cilën i paraqitet lexuesit në fillim të romanit, dhe përfundon tragjikisht. Romani është stigmatizim i ambicies së atyre të rinjve amerikanë që duan të bëhen pjesë e ëndrrës amerikane me çdo mjet e mënyrë, pa përfillur djersën dhe mundin, mbrapshtia e veprimeve të të cilëve një ditë merr haraçin e vet. Vepra është poetike, me stil të ngjeshur, plot metafora të bukura, zhbirime psikologjike, personazhe të vizatuar me mjeshtëri e me skena të larmishme të Amerikës së “viteve të xhazit”. Për fat të keq, vlerat artistike të kësaj vepre në shqip kanë humbur nga përkthimi i dështuar i përkthyesit Muntaz Shehu, botim i shtëpisë botuese “Albin”. Kur e kam lexuar së pari këtë përkthim më është dukur çudi që kjo vepër mbahet nga kritika për kryevepër, por kur pas ca kohe më ra në dorë versioni origjinal anglisht dhe pasi bëra një përqasje të tij me përkthimin, pashë se vepra është vërtet e mrekullueshme, por puna e bërë nga përkthyesi është e vajtueshme, pa pikën e përgjegjësisë, një punë që është turp ta quash përkthim, pale më shqipërim, siç ka “nderin” ta quajë vetë përkthyesi. Kur lexon përkthime të tilla surrogate të vjen mall për përkthimet e mrekullueshme të përkthyesve të mëdhenj të brezave të kaluar, aq të bukura e të goditura, saqë shpesh të dukej sikur veprat ishin shkruar shqip. Përkthimet e përkthyesve si Fan Noli, Petro Zheji, Robert Shvarc, Bujar Doko, Sotir Caci, Vedat Kokona, Klio Evangjeli, Shaban Demiraj, Skënder Luarasi e të shumë të tjerëve mbeten e do të mbeten monumente madhështore në lëmin e përkthimeve dhe të kulturës sonë letrare në përgjithësi dhe përbëjnë shembuj lapidarë për t’u ndjekur nga brezat e përkthyesve të rinj. Edhe pas viteve ’90 janë bërë jo pak përkthime të mira e ndër to do të përmendja romanin “Murtaja” të A. Kamysë dhe “Neveria” të Sartrit nga Vladimir Bako, dy përkthime të shkëlqyera; romanet e M. Pucos “Kumbari”, “Kumbari i Fundit” dhe “Siciliani” nga Astrit Telegrafi; “Uliksi” i Xh. Xhojsit nga Idlir Azizi, një përkthim i mrekullueshëm; “Kodi Da Vinçi” i D. Braunit nga Perikli Jorgoni; “Kopshti i Edenit” i E. Heminguejit nga Juliana Kurti; “Orët” e M. Kaningemit nga Albana Sala. Sigurisht ka edhe shumë përkthime të tjera të mira, por në këtë shkrim s’më lejon vendi të zgjatem.
Të metat e përkthimit të romanit “Getsbi i Madh” janë të pafundme dhe zor se gjen një faqe ku të mos ketë pasaktësi, kundërsense, fjali e pasazhe pa kuptim e shpeshherë pjesë të përkthyera me një indiferentizëm kaq të madh, sa të duket e pabesueshme. Them e pabesueshme, sepse pothuaj në të gjitha pjesët, ku përmenden numra, përkthyesi gabon, aq sa të duket se nuk di as numrat në anglisht. P.sh. She’s two years old = Ka mbushur tre vjet | three years = katër vite | five years ago = katër vite më parë | I only stayed five months = kam qëndruar vetëm nëntë muaj | she was keeping half a dozen dates a day with half a dozen men = filloi të kishte me dyzina pikëpjekjesh në ditë me gjysëm dyzine njerëzish të ndryshëm [!!!] (dhe shkruhet gabim: “gjysëm”) | Twelve minutes to my train = Mungojnë dhjetë minuta për trenin tim, etj. Po aq e pabesueshme është që përkthyesi nuk di kuptimin e disa fjalëve fare të thjeshta, që besoj se i dinë edhe nxënësit që mësojnë anglisht, çka tregon sheshit se është i një niveli skandaloz. Të tilla fjalë janë: trousers = çorape | torn jersey = fanellë e palosur | canvas pants = këpucë bezeje | meretricious beauty = bukuri prej prostitute | satisfactory hint = intuitë ngushëlluese | man = filan | fairy’s wings = krah fluture | silver fields = miniera ari | white trousers = çorape të bardha | wild rumors = zëra fantastikë | cymbals = dajre | metallic cloth = tesut metalik | schedule = orario [Mirë që s’e ka përkthyer sllavisht! | street lamps = mjedhrat e rrugëve | normal person = person anormal | ferryboat = ferri-bot (për “traget”) | the orgastic future = e ardhmja e svetënuar | lunch = mëngjes (gjatë gjithë librit përkthyesi s’dallon “breakfast” nga “lunch”] | drive (rrugicë në oborr) = bulevard | She was extemporizing… = Ajo po mendohej… | She nodded. = Ajo u mërzit., etj. Por edhe më shqetësuese, çka ia ka shkatërruar më tej vlerat romanit, janë frazat që mbartin një mendim tjetër nga ai i autorit. Fjala vjen: ...where there are, among other natural curiosities, two unusual formations = ku përveç kurioziteve natyrale, gjenden edhe dy formacione... [Sikur formacionet, për të cilat flet autori, s’janë natyrore.] | Like the egg in the Columbus story they are both crushed flat = Nuk janë krejt ovale, si veza e historisë së Kolombit; janë që të dyja të shtypura... [Autori (dhe gjithë bota) thonë se Kolombi e shtypi vezën që të qëndronte drejt, përkthyesi thotë të kundërtën.] | ‘You live in West Egg,’ she remarked. ‘I know somebody there.’ = “Ju banoni në Uest Eg”, tha ajo. “Njeh dikë atje?” [Zjsh. Beker thotë se ajo “njeh dikë atje” dhe nuk pyet Nikun nëse ai “njeh dikë atje”.] | Daisy was not a Catholic and I was a little shocked at the elaborateness of the lie. = Dejsi nuk ishte katolike, prandaj mbeta ca i tronditur nga natyra e ndërlikuar e përgjigjes [Autori thotë “lie”, përkthyesi ia fut rroma për toma.] | …hair shorn in strange new ways and shawls beyond the dreams of Castile = …tualetet e hijshme dhe të çuditshme si dhe shandanët që ua kalonin edhe ëndërrave më të guximshme të një kastiliani [Se nga dalin shandanët dhe tualetet përkthyesi e di… Veç kësaj, shkruhet “ëndrra”, jo “ëndërra”...] | On Sunday morning… the world and its mistress returned to Gatsby’s house and twinkled hilariously on his lawn = Të dielën në mëngjes… njerëzit dhe dashnorja e tij po ktheheshin në shtëpinë e Getsbisë dhe rrudhnin sytë mbi lëndinë [Autori s’e ka fjalën për dashnoren e Getsbit, po për diellin!…] | He indicated a gorgeous, scarcely human orchid of a woman = … tregoi një grua që i shëmbëllente një arkideje gjigande, të cilës vështirë mund t’i thuash qenie njerëzore [Autori e ka fjalën për një femër fine, artiste kinemaje, jo kafshë. Dhe e dyta, shkruhet “gjigante” jo “gjigande” dhe lulja quhet “orkide”, jo “arkide”.] | ‘He was probably bumming his way home. = “Ndoshta po kthehej në shtëpi për qelepir.” [Njeriu mbase kthehet në shtëpi për qelepir, por autori s’thotë këtë.] | ‘I suppose Daisy’ll call too.’ He looked at me anxiously as if he hoped I’d corroborate this. = ‘Mendova se do të thërrisje edhe Dejsin.’ Më shikoi i shqetësuar, me shpresë se unë do të pranoja. [Në të dyja fjalitë përkthyesi ia fut kot.] | Taking out my time-table I drew a small circle around the three-fifty train. = Mora orarin dhe bëra një xhiro rreth trenit të orës tre e pesëdhjetë. [Xhiro rreth trenit!!!]
Përveç pasaktësive të tilla, që në libër janë të panumërta dhe më së shumti tingëllojnë si budallallëqe, ka edhe plot fraza pa kuptim. Fjala vjen: ‘You sounded well enough on the phone.’ = ‘Kur folëm në telefon, na u duk se nuk kishit fare.’ | My own house was an eye-sore = Përsa i përket shtëpisë sime, ajo ishte një grusht në njërin sy [Mirë që s’ishte në të dy sytë!] | There was something pathetic in his concentration as if his complacency, more acute than of old, was not enough to him any more = Kishte diçka patetike me afshin e saj, sikur vetëkënaqësia më e theksuar se në të kaluarën, të mos i mjaftonte më. [!!] | In the morning, / In the evening, / Aint we got fun…= Në mëngjes, / Dhe pastaj mbrëmja, / Nuk është e bukur… | He was incredulous. ‘Like hell he is! = Nuk i besohej. ‘Më bëni një nder!’ [!!] | And as for your bothering me about it at lunch time I won’t stand that at all… = Sa për atë qënien e bezdisur gjatë ngrënies së mëngjesit nuk kam ndër mend ta duroj… [Një “qenie” (jo “qënie”), që vetëm përkthyesi e di se cila është.] | I don’t give a damn about you now = Tani nuk më intereson më një aksident për ty., etj. Një e metë tjetër e dukshme e librit është numri tejet i madh i gabimeve drejtshkrimore, që flet për mungesë të theksuar të kulturës gjuhësore dhe të respektit ndaj gjuhës shqipe.
Pothuajse në çdo faqe përkthyesi përdor një pjesëz të padëgjuar “beh” në vend të pjesëzës “epo”, që është normë letrare, dhe e përdor aq dendur, sa të vret veshët.
Gjithashtu të duket e habitshme se si përkthyesi shkon kundër natyrës së gjuhës shqipe duke e dhënë emrin Getsbi në një përdorim sipas qejfit të vet: Getsbija, i,e Getsbisë, kur për emra të tillë të gjuhës angleze kemi një traditë normative: Kenedi, i,e Kenedit, dhe jo Kenedia, i,e Kenedisë. Leqë e shkruan dhe gabim: “Getsbija”. Unë s’besoj të jetë bërë ndonjë përkthim tjetër kaq skandaloz i një vepre të huaj në gjuhën tonë, dhe uroj të mos jetë bërë, ndonëse me siguri nuk e di. Ajo që di me siguri është se ky përkthim është etaloni se si mund të bastardohet një kryevepër nga një përkthyes profan jo vetëm në gjuhën nga e cila përkthen, por edhe në gjuhën shqipe, dhe ç’kusur kanë lexuesit që e blejnë këtë libër duke u zhgënjyer krejtësisht. Habitem se ku e gjen guximin një përkthyes kaq i paaftë të marrë në dorë e të përkthejë një kryevepër letrare duke dalë përpara publikut me një punë totalisht të dështuar, fyese si për meritat e autorit, edhe për inteligjencën e lexuesit. Është e domosdoshme që botuesit të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e përkthyesve, që veprat e përkthyera të tingëllojnë sa më bukur në shqip dhe të vazhdohet tradita e shkëlqyer e përkthimeve të mrekullueshme në gjuhën tonë nga përkthyes të talentuar e të apasionuar.

25 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›