E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenare

Gati çdo ditë para mesditës nisem shtegtimit disaminutësh nga zyra ime për në KTV, “për të parë se ç’po më bëjnë fëmijët”, deri vonë sugarët, që sivjet së bashku me shtëpinë që i pa tek rriteshin dhe shndërroheshin në gra e burra të rinj, e festojnë dhjetëshin e parë.
Nuk më ka bërë vaki t’i shoh që të gjithë së bashku në të njëjtin vend, ngase natyra e punës, ndërresat me të cilat punojnë dhe ditët e pushimit, teknikisht e bëjnë të pamundur këtë gjë... dhe duke e menduar më mirë, nuk jam shumë e sigurt se hapësira e punës që kemi në dispozicion do të na mjaftonte . Ani që si shqiptarë që jemi, udhëhiqemi me maksimën “Sa më ngushtë, aq më gjerë”, të cilën, sinqerisht, kurrë nuk e kisha kuptuar, derisa nuk u shfaq KohaVisioni.
Dhe pavarësisht faktit se hapësira jo e përshtatshme ishte njëra nga sfidat me të cilat KTV-ja është ballafaquar që nga fillimi, dhe të cilën nuk arriti ta zgjeronte, ngase përjetoi që pesë herë t’i prisheshin ose tenderët ose kontratat e qirasë, KTV-ja arriti të dëshmonte një gjë shumë të rëndësishme – vullnetin dhe profesionalizimin të pashoq për ta krijuar një televizion plotësisht të pavarur nga të gjitha ndikimet. Edhe me çmimin që të mbetej i ngujuar në “banesën njëdhomëshe të Adelinës”, përderisa fëmijët po rriteshin me numra dhe me shtat, në kohën kur lodrat “Commodore 64” po ua zëvendësonim me “386”-a, e më vonë madje edhe me “Pentium” dysha. Logjikshëm, avancimi i pajisjeve ishte edhe pasojë e avancimit të shkathtësive të atyre që kur nisën punën në KTV kishin po aq përvojë sa unë në këtë sferë -- demek hiç... por vullneti dhe entuziazmi i të cilëve për t’u bërë përherë më të mirë, më ka lënë jo pak herë gojëhapur dhe pa tekst, të impresionuar me atë që e realizonin në fund.
Natyrisht, rritja e shkathtësive rriti edhe vëllimin e programit, e ç’është më me rëndësi, rriti edhe cilësinë, me të cilën megjithatë nuk duhet të kënaqemi. Ky është vetëm dhjetëvjetëshi i parë dhe kemi shumë, shumë për të mësuar, sepse duhet të bëhemi më të mirë.
Përvoja e punës me vajza e djem të rinj, mesatarja e të cilëve shpesh nuk e kalon 23-in, është fantastike dhe përfundimisht e pazëvendësueshme. Të sillesh në kësi ambienti nënkupton edhe nervozizmin, e ndonjëherë edhe hidhërimin me papjekurinë që mund ta tregojnë – ashtu siç ndodh me të gjithë fëmijët që po rriten. Nënkupton edhe diçka të veçantë: hare, gëzim dhe vend në të cilin shpirti nuk mund të të plaket kurrë, kurrë... sepse nuk ka shans. Dhe më shumë se çdo gjë tjetër, nënkupton të jesh me fat, sepse është ambient që kultivon dhe edukon një familje të madhe njerëzish nga e gjithë Kosova që e kanë qëllimin e përbashkët që të vazhdojnë ta ruajnë të veçantën e KTV-së – pavarësinë dhe frymën më ndryshe. Dhe kjo më bën të krenohem shumë me “fëmijët” e mi.
Orët e mesditës me ekipin e KTV-së janë mësim i madh i ndërsjellë. Janë biseda ndër miq e janë zbulime të veçorive të njerëzve të ndryshëm që, sado të kundërta të jenë, harmonizohen falë magjisë së televizionit... është dashuri dhe respekt, madje edhe atëherë kur njëri follder në kompjuterin transmetues pagëzohet me: “mos gabo  me i l’shu, se t’myt flaka”...
Gëzuar!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›