E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerë shteti e politikanë urojnë myslimanët për Bajram

TIRANE- Politikanë dhe krerë të institucioneve shtetërore kanë zhvilluar sot vizita pranë Medresesë së Tiranës, ku kanë përcjelle urimet e tyre për diten e Kurban Bajramit.

Pavarësisht përpjekjes për t’iu shmangur përplasjes politike, sërish përplasja ka ndodhur. Ndërsa lideri i PS-së deklaroi se sot është dita e fjalëve të mira, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli iu përgjigj se nuk mjaftojne vetem fjalet por duhen edhe vepra te mira.

Berisha në Pogradec: Kurban bajrami, ditë sublime
Kryeministri i vendit Sali Berisha ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit, nga xhamia e qytetit të Pogradecit. Kreu i qeverisë ka vlerësuar këtë festë si ditë sublime. Po në Pogradec zoti Berisha mori pjesë në inaugurimin e rrugës së fshatit Lin si dhe në rikonstruksionin e shkollës në fshatin Stropckë.

Rama: Uroj të gjithë për mendime, gjeste e fjalë të mira
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vizitoi sot komunitetin mysliman në ditën e Kurban Bajramit dhe uroi që e mbarë të jetë jo vetëm kjo ditë, por edhe e nesërmja e gjithsecilit. I rrethuar nga besimtarë dhe drejtues të këtij komuniteti Rama u shpreh se “Kjo është dita e ëndrrave të mira, është dita e mendimeve të mira, është dita e fjalëve të mira, është dita e gjesteve të mira dhe unë i uroj që të gjithëve që të kenë mendime të mira, fjalë të mira, gjeste të mira kudo ku jetojnë dhe që e mbarë të jetë jo vetëm kjo ditë, por edhe e nesërmja e gjithsecilit.”

Topalli: Nuk mjaftojnë fjalët e mira duhen dhe veprat e mira
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli vizitoi sot paradite komunitetin mysliman . “Sot është një ditë e shenjtë. Zoti ka shënuar këtë një ditë ku nuk mjaftojnë fjalët e mira mendimet e mira, por një ditë që të kemi vepra të mira, gjeste të mira.“ – deklaroi Topalli menjeherë pas takimit me krerët e këtij komuniteti.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›