LSI: Komunistët na vodhën votat
Kandidati i LSI-së për kreun e Komunës së Otllakut kundërshton rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme të zhvilluara gjatë së dielës në Berat. Sipas tij, kandidati i Partisë së Punës së Riorganizuar, Hektor Beqollari, ka ushtruar presion psikologjik mbi komisionerët gjatë numërimit të kutisë së fundit, e cila ka renditur në vendin e dytë Beqollarin me 330 vota. Sipas Nasi Gjokës, i cili ka arritur të marrë 316 vota, përfaqësuesi i PPSHR-së ka manipuluar votat në kutinë e fundit dhe ka ushtruar presion psikologjik mbi komisionerët gjatë kohës që numëroheshin fletët e votimit. Kjo, sipas tij, ka bërë që rezultati i zgjedhjeve të mos jetë objektiv dhe ai të renditet i treti. Ndërkohë, komisionerët e LSI-së nuk kanë firmosur procesverbalin e rezultatit të zgjedhjeve. Zgjedhjet e së dielës shpallën fitues përfaqësuesin e PD-së Muharrem Hoxha, i cili arriti të marrë 2449 vota. Zgjedhjet e së dielës u zhvilluan pas hyrjes në Parlament të ish-kreut të Komunës Otllak, Lefter Maliqi. Që prej shpalljes deputet të këtij të fundit, vendi kishte mbetur vakant.
Mi.H.
Mi.H.