FBI e kërkonte në të gjithë botën, e kap te stadiumi "Qemal Stafa"
Pranga në Tiranë një të kërkuari shqiptar nga FBI-ja. Gazmir Gjoka është arrestuar, pasi kërkohej që në muajin mars të këtij viti për trafik droge. Emri i tij u publikua në muajin mars, kur FBI-ja goditi një grup prej rreth 30 vetash që merreshin me trafik dhe shitje të të gjitha llojeve të drogës. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se kapja e 56-vjeçarit, i cili ka lindur në Tiranë, por jeton në SHBA u realizua rreth orës 20.00 të së mërkurës nga sektori kundër krimit të organizuar. Autoritetet e Interpol-Uashington në SHBA e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar këtë person, për "shitje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike". Ndërkohë, në ngarkim të tij, autoritetet e New Jersey, më datë 12 mars 2009, kanë vendosur masën e sigurisë në mungesë me "arrest në burg" për veprën penale të "trafikimit të lëndëve narkotike". Në sajë të një operacioni të realizuar nga forcat e Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar, u bë e mundur kapja në afërsi të stadiumit "Qemal Stafa" në Tiranë. Prej marsit, ai ishte kthyer në Shqipëri dhe jetonte në një banesë te rruga "Mihal Grameno". Sipas dosjes së përgatitur nga policia amerikane, ai fshihej edhe me emrin Albin Kosova. Pikërisht më 19 mars të këtij viti, FBI-ja ka realizuar një operacion që ka çuar në arrestimin e 17 personave, mes të cilëve katër shqiptarë, ndërkohë që pak kohë para këtij operacioni kishte arrestuar edhe tre shqiptarë të tjerë dhe një shtetas amerikan. Ditën e operacionit, FBI-ja deklaroi se veç 21 të arrestuarve, pesë persona ishin shpallur në kërkim, ku katër ishin shqiptarë dhe një ishte serb. Mes pesë të kërkuarve ishte në listë edhe Gazmir Gjoka, që sipas të dhënave dihej se kishte fluturuar drejt Shqipërisë, pak ditë para se të realizohej operacioni. Ky ishte një rrjet, jo vetëm i trafikimit të drogës, por i armëve dhe cigareve kontrabandë në SHBA dhe nëpër Europë. Rrjeti ka qenë i gjerë dhe përfshin Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Serbinë dhe Holandën. Operacioni është kryer nga dega e FBI-së për shtetin e New Jersey-t dhe është koduar "Shqiponja e zezë". Emri i operacionit tregon praninë themelore të shqiptarëve në këtë rrjet trafikimi, që ka përfshirë edhe trojet tona. FBI-ja kishte infiltruar agjentët e saj brenda grupit trafikues dhe ka përgjuar aktivitetet e tij në New Jersey, Brooklyn dhe Staten Island. Agjentët e FBI-së, të maskuar si keqbërës, kanë rënë në kontakt me rrjetin dhe kanë blerë prej tyre 30 000 pilula të drogës "Ecstasy", 2.5 kile heroinë, një revolver 9 mm, pushkë automatike dhe argjendari të vjedhura. Dy nga të arrestuarit ishin pilotë amerikanë, të cilët u zbuluan nga FBI-ja në shkurt të këtij viti në një apartament në Atlantic City, duke rënë dakord me një agjent të fshehtë të FBI-së për dërgimin e 10 kile kokaine nga Florida në një aeroport në Ocean City. Dyshja mori në dorëzim paketa pluhuri të bardhë që i kujtonin për drogë dhe i fluturuan për New Jersey më 5 mars, ku morën në shkëmbim 15 000 dollarë nga një tjetër agjent i fshehtë i FBI-së. Trafikantët kishin biseduar me agjentët e FBI-së edhe për pastrim parash, marrëveshje për importimin e sasive të mëdha droge përfshi edhe kokainë, marijuanë, steroide anabolikë dhe rreth një milion pilula "Ecstasy" nga vende si Turqia e Greqia. FBI-ja ka sekuestruar më shumë se 500 000 dollarë në dorë, si edhe dy aeroplanët që besohet se janë përdorur për transportimin e drogës dhe mallrave të tjerë të paligjshëm.
Ble. Gi.
Ble. Gi.