E Diel, 1 Nëntor 2026

Qani Hasa në prokurori: Nuk kam marrë ryshfet

Gjyqtari i Elbasanit, Qani Hasa, i akuzuar për marrje ryshfeti, nuk i ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria. Për më shumë se dy orë, Hasa ka dëshmuar para grupit hetimor në njësitë antikorrupsion në akuzën kryeqytetase, duke dhënë shpjegime për të gjitha pretendimet që ndodhen në dosje. Hetuesit e çështjes thanë se gjyqtari pa imunitet, i pezulluar nga KLD-ja ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë marrë ryshfet nga të afërmit e të dënuarit, Geron Toska. Ai ka deklaruar se akuzat janë një përbaltje e emrit të tij dhe i ka kërkuar organit të prokurorisë që ta çojë deri në fund këtë hetim. Ai ka deklaruar se CD-ja me regjistrime është e montuar dhe kërkonte një ekspertim për zërin dhe bisedën që është regjistruar. Sipas prokurorisë, hetimi për gjyqtarin Qani Hasa, do të kryhet si për të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, pasi ai nuk gëzon asnjë lloj imuniteti. Ata deklarojnë se veprimi i KLD-së, që me kërkesë të prokurores Ina Rama i hoqi imunitetin, i hap rrugë hetimit të plotë dhe të gjerë për mitëmarrjen dhe ryshfetin. Krahas gjyqtarit të Elbasanit, Hasa, që akuzohet për mitëmarrje, hetuesit po përqendrohen edhe në zbulimin e personit që i ka servirur gjyqtarit në fjalë para, i cili ka regjistruar një emër të rremë në Prokurorinë e Elbasanit. Më pas, këto materiale i kanë kaluar prokurorisë së kryeqytetit, pasi dosja në Elbasan kishte konflikt interesi. Në kryeqytet u regjistrua një procedim penal, por imuniteti që mbante gjyqtari ia vështirësonte punën prokurorisë për zbardhjen e ryshfetit. Në këtë mënyrë, akuza qendrore iu drejtua KLD-së, e cila vendosi heqjen e imunitetit. Por, problemi i hetimit të kësaj dosjeje konsiston në faktin se denoncuesi nuk është gjetur. Sipas burimeve nga prokuroria, dosja është regjistruar pa emër denoncuesi dhe tashmë do të bëhen të gjitha verifikimet për gjyqtarin në fjalë.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›