E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Kosovës në OKB u ftuan nga Berisha



OKB i përgjigjet notës së protestës nga Beogradi

“Delegacioni kosovar u ftua nga ai shqiptar”

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ishin javën që shkoi në Nju Jork në punimet e Asamblesë së përvitshme të Kombeve të Bashkuara. Ata e shfrytëzuan këtë udhëtim për të bërë sa më shumë takime diplomatike me vendet anëtare të OKB-së në favor të njohjes së shtetit më të ri në Evropë, por qëndrimi i tyre andej ka zemëruar fqinjin serb, i cili ka akuzuar OKB-në për ftesën ndaj një vendi që nuk është akoma anëtar i kësaj organizate. Dje është zbardhur e vërteta. Ishte një taktikë diplomatike e qeverisë shqiptare për të bërë të mundur qëndrimin e delegacionit kosovar. Kombet e Bashkuara i janë përgjigjur notës së protestës së Serbisë lidhur me praninë e zyrtarëve të lartë të Kosovës gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme, duke bërë të qartë se ata ishin të ftuar nga delegacioni shqiptar, i cili kryesohej nga Kryeministri Berisha dhe zv.kryeministri e ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Sipas BBC-së, Brandon Varma, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, thotë se delegacionet e shteteve anëtare mund të ftojnë mysafirët e tyre për të ndjekur takimin. “Përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës kanë qenë të pranishëm në sallë vetëm të shtunën gjatë fjalimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, me ftesë të delegacionit shqiptar dhe jo me atë të Sekretarit të Përgjithshëm”, - ka deklaruar zëdhënësi Varma. Në notën e protestës që Serbia i kishte dërguar OKB-së, ajo kërkonte sqarime se si ishte lejuar prania e delegacionit të Kosovës në sallën e Asamblesë së Përgjithshme, duke pretenduar se zyrtarët kosovarë janë qytetarë privatë dhe nuk kanë të drejtë të jenë të pranishëm në godinën e Kombeve të Bashkuara. Presidenti Fatmir Sejdiu e kishte cilësuar këtë reagim të Beogradit si të paarsyeshëm, ndërsa i kishte bërë thirrje Serbisë për një qasje më racionale ndaj Kosovës. Diplomacia kosovare dhe ajo serbe janë përplasur në Nju-Jork, ndërsa po mbahej Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në përpjekje për të ndikuar në procesin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ministri i jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se trysni e madhe ndërkombëtare po bëhet ndaj 30 vendeve për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ai tha se delegacioni i Serbisë ka zhvilluar takime me të gjitha këto shtete, në përpjekje për ta penguar njohjen e Kosovës, të cilën Serbia e konsideron ende pjesë të saj. Udhëheqësit kosovarë ndërkaq kanë shprehur bindjen se fushata e tyre lobuese në dy javët e fundit në Nju Jork do të ngrejë së shpejti, të paktën për tre, numrin e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës. Republika e Kosovës deri tani është njohur nga 62 shtete të ndryshme të botës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›