E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kundër ndërkombëtarëve, zgjedh sheshin në vend të Kuvendit



Në mënyrë kontradiktorë, kreu i PS-së, Edi Rama, ka rënë dakord me kërkesën që po i bëjnë çdo ditë ndërkombëtarët për të kthyer partinë e tij në Kuvend, por nga ana tjetër ka zgjedhur sheshin për të bërë opozitën e tij. Ai ka dalë dje para mediave për të lajmëruar një protestë të madhe më datë 10 tetor, duke zbatuar kështu qëndrimin e tij radikal ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit. Protestat janë hapi tjetër ku hyn opozita, pasi ka vendosur të bojkotojë punimet e Kuvendit të ri me 65 deputetët e saj. Vetëm dy ditë më parë në adresë të PS-së, përfaqësuesit diplomatikë të KE-së dhe OSBE-së në vendin tonë e thanë në mënyrë të qartë se PS duhet të kthehej në Kuvend për të mundësuar dialogun politik. I pyetur për këtë fakt Rama dje komentoi: “Asnjëherë nuk do të rresht së falënderuari miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë për gjithçka kanë bërë e bëjnë për Shqipërinë, ashtu sikundër i falënderoj edhe për shqetësimin e deklaratat e tyre lidhur me gjendjen aktuale. Ndaj me ta mendimin se vendi i duhur për dialogun politik në një demokraci normale është parlamenti dhe mezi pres që të plotësohen kërkesat tona normale për të hyrë në Parlament”. Më tej, ai pranon gjithashtu: “Parlamenti ka forcën ta bëjë deri në fund atë që ne kërkojmë, hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, duke filluar nga hapja e kutive”. Ai ka fajësuar për këtë vazhdim të bojkotit mungesën e vullnetit nga pala në pushtet që sipas tij nuk i lejon hetimin. Ndërkohë që ambasadori i KE-së, Helmuth Lohan, thotë në mënyrë kuptimplotë “duhet të shohim nga e ardhmja” duke nënkuptuar se dialogu duhet të fokusohet në përmirësimin e mëtejshëm e atyre mangësive që u hasën në këto zgjedhje, Rama flet për hapje të kutive megjithëse rezultatet dhe çdo ankimim ligjor kanë ndjekur gjithë kornizën ligjore. Protesta e 10 tetorit do të tregojë se do të arrijë Rama të organizojë një protestë të madhe dhe të fortë ndërkohë që brenda partisë ka një lëvizje që e kundërshton bojkotin dhe qëndrim radikal ndaj zgjedhjeve. Nga përpjekjet e fundit të Ramës për të afruar pranë PS-së dhe elementë të djathtë si Nard Ndoka apo Spartak Ngjela mund të pritet që kjo protestë të zyrtarizojë aleancën mes tyre.

PS i kërkon prokurorisë të rikërkojë heqjen e imunitetit të Mediut

Partia Socialiste ka rihapur çështjen e imunitetit të kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ndaj të cilit u pushua çështja penale me vendim të Gjykatës së Lartë, pasi kishte rifituar imunitetin e deputetit. PS i ka kërkuar dje Prokurorisë së Përgjithshme që të paraqesë një kërkesë të re në Kuvend për heqjen e imunitetit të Mediut, aktualisht ministër Mjedisi në qeverinë e re. “I bëjmë thirrje Sali Berishës të shprehë qartë, pa ekuivokë dhe larg çdo deklarate demagogjike, gatishmërinë e tij për të hequr imunitetin e ministrit Fatmir Mediu, si dhe të ndalojë çdo formë presioni apo joshjeje ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë. I bëjmë thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë menjëherë vendimin për pushimin e çështjes ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht nxisim me forcë Prokurorinë e Përgjithshme të depozitojë menjëherë në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit ndaj deputetit Fatmir Mediu, duke i hapur kështu rrugë hetimit në themel të tragjedisë së Gërdecit”, - tha dje në emër të PS-së, deputeti Saimir Tahiri.

Braçe, debat me Ruçin e Ramën për të dalë në konferenca

Pas datës 28 qershor podiumet e selisë rozë kanë qenë një mollë e lakmuar për deputetët e rinj të kësaj partie. Mësohet se kreu i partisë, Edi Rama, ka bërë madje një listë me emrat që duhet të dalin më shpesh para mediave, ku spikat emri i deputetit të Tiranës, ish-zëdhënësi i Ramës, Saimir Tahiri, apo deputetja tjetër e kryeqytetit, Ledi Shamku. Ndërkaq, nuk u është lënë hapësirë deputetëve të vjetër dhe ç’është më e keqja, një prej përdoruesve më të shpeshtë të podiumeve të konferencave, deputetit të Beratit, Erion Braçe. Kishte shumë kohë që ai nuk po shfaqej nëpër konferenca, ndërsa para dy ditësh ai doli para mediave për të thënë atë që thotë përditë Edi Rama, kërkesën ndaj mazhorancës që të bëhet hetim ndaj zgjedhjeve të 28 qershorit dhe hapja e kutive të votimit. Sipas burimeve në PS, para se të dilte në konferencë, Braçes i është dashur të konfliktohet me kryetarin e Asamblesë ose siç njihet ndryshe si numri dy në PS, Gramoz Ruçi. Ruçi ka refuzuar kërkesën e tij për të qenë protagonisti i ditës në selinë rozë, ndërkohë që mësohet se është vetë kryetari Rama ai që ka urdhëruar shmangien e Braçes nga konferencat. Konflikti mes tyre është jo mediatik dhe përmban një emërues të vetëm, Erion Veliaj. Bëhet fjalë për luftën e paprecedent të Braçes kundër G99 në qarkun e Beratit gjatë fushatës. Për këtë Rama dhe Veliaj e fajësojnë atë për humbjen e një deputeti të koalicionit të majtë. Megjithëse Ruçi e ka lejuar të mërkurën që të dalë në podium, duket se deputeti i Beratit s’do ta ketë kaq të lehtë në të ardhmen që të jetë zëri dhe figura e PS-së, siç ndodhte rëndom para zgjedhjeve. Rama tashmë ka një tabor deputetësh që kërkon t’i afirmojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›