Suedia: Jo regjim vizash, pa plotësuar kushtet
Një zyrtar i lartë i presidencës suedeze të Bashkimit Evropian thotë për BBC-ne se nuk do të ketë liberalizim të vizave me BE-në pa u plotësuar më parë kushtet e nevojshme.
Ministri suedez i Migrimit dhe Politikave të Azilit të Suedisë, Tobias Billstrom, i tha BBC-së se presidenca suedeze e inkurajon Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat e domosdoshme me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre.
Duke folur pas një propozimi nga Parlamenti Evropian për përshpejtimin e procedurave ligjore për përfshirjen e të dy vendeve ballkanike në regjimit pa viza të BE-së, zyrtari suedez tha se thelbësore është përqendrimi tek udhërrëfyesi duke vënë në dukje se të gjithë duhet të kenë trajtim të barabartë.
Ai tha se çështja e lehtësimit të vizave për Kosovën, varet nga përgatitjet e saj për të hyrë në këtë proces dhe mbi të gjitha edhe nga vetë BE-ja dhe pesë vendet anëtare të saj që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Zoti Billstrom tha se Kosova nuk ende ka një marrëveshje për lehtësimin e vizave sepse ajo asnjëherë nuk ka qenë e përfshirë në këtë proces, por shfaqi shpresën e tij se ajo do të mund të hyjë së shpejti në këtë rrugë.
BBC: Ka patur një politikë të vazhdueshme të përkujdesjes së presidencës së radhës të BE-së, në këtë rast të Suedisë, për Ballkanin Perëndimor. Por një pjesë e vendeve të këtij rajoni kanë mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave. Është kjo politikë që do të ndiqni edhe në një të ardhem të afërt?
Tobias Billstrom: Nga presidenca suedeze ne e mirëpresim propozimin e Komisionit Evropian për të hapur rrugën për regjim pa viza për ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë. Kjo është një çështje që ka një përparësi të lartë për presidencën suedeze. Ne do të bëjmë çdo gjë që kjo të zbatohet, por Komisioni dhe shtetet anëtare, gjatë vjeshtës do të kenë mundësinë që të marrin vendimin për liberalizimin e vizave për vendet e posaçme.
BBC: Por disa vende janë jashtë këtij procesi, përfshirë Bosnjën dhe Shqipërinë. Mos të harrojmë edhe Kosovën në këtë mes, që nuk është paraparë ose nuk ka kaluar nëpër këto procedura. Si i shihni ju tani këto vende. Janë braktisur ato?
Tobias Billstrom: Më lejoni që ta ndajë këtë pyetje në dy pjesë. Njëra është për liberalizimin e vizave si e tillë, për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne besojmë se është një dimension i rëndësishëm rajonal i liberalizimit të vizave dhe unë do të doja që të nënvizoj, në emër të presidencës suedeze, rëndësinë që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor me kohë do të mund të përfshihen në këtë regjim të lehtësimit të vizave.
Do të donim, gjithashtu, që të inkurajojmë Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën që të përshpejtojnë reformat që janë të domosdoshme me qëllim që kërkesat për vizat të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur edhe për qytetarët e tyre. Kjo është përgjigja ime për këtë pjesë të pyetjes.
Sa i përket Kosovës, vendimi për lehtësimin e vizave për qytetarët e këtyre vendeve që unë i përmenda, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia, që Komisioni do ta bëjë gjatë vjeshtës, nuk do të përfshijë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
BBC: Zoti ministër, por kur bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Bosnjën, çfarë më saktësisht doni ju që të bëjnë ato dhe të arrijnë para se ta merrni ndonjë vendim?
Tobias Billstrom: Ne si presidencë suedeze, besojmë shumë në udhërrëfyesit, që janë shumë të qarta për të përcaktuar rrugën drejt liberalizimit të vizave. Të gjitha vendet që duan të kenë liberalizim të vizave me BE-në duhet të përmbushin kërkesat e këtyre udhërrëfyesve. Nëse e bëjnë këtë ata do të lejohen të hyjnë brenda në këtë regjim, nëse nuk e bëjnë, atëherë duhet të presin deri sa t'i përmbushin kërkesat. Kjo është një politikë shumë e thjeshtë. Sa i përket udhërrëfyesit, nuk po hyj në hollësi, por ato natyrisht kanë kërkesa të posaçme kur bëhet fjalë për sigurinë, për burokracinë dhe kur bëhet fjalë për politikat e migrimit të BE-së.
BBC: Së fundi ka patur një kërkesë të anëtarëve të Parlamentit të Evropës që këto vende të përfshihen në raport dhe të futen menjëherë sapo të kenë përmbushur kërkesat. A nuk është kjo një rrugë për të lehtësuar gjërat për të dyja vendet?
Tobias Billstrom: Mendoj se gjëja më e rëndësishme është që të përqëndrohemi tek udhërrëfyesi. Kjo është gjithashtu një gjë për të cilën edhe anëtarët e Parlamentit të Evropës duhet të mendojnë, sepse kjo mbi të gjitha është një çështje edhe për vetë BE-në. Nëse duam që vendet, të cilat i kemi në fqinjësi, që të futen në këtë regjim të lehtësimit të vizave duhet të bëjmë të njëjtat marrëveshje për të gjithë, duhet t'i trajtojmë të gjithë në mënyrë të barabartë, ndryshe do të përgjigjemi pse i lejojmë disa njerëz të lëvizin në një rrugë të shpejtë, ndrsa të tjerët duhet të presin deri sa t'i përmbushin kërkesat. Kjo besoj unë, do të shihej nga vendet në fjalë si jo e drejtë dhe jo solidare.
BBC: A ishin zgjedhjet në Shqipëri një nga pikat e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave?
Tobias Billstrom: Nuk preferoj të hyjë në hollësi, por më e rëndësishmja është që të gjitha vendet që duan të marrin lehtësimin e vizave, duhet të përmbushin kushtet e përcaktuara në udhërrëfyesin. Dhe kjo vlen për të gjithë.
BBC: Vlerësoni se Serbia i përmbushur të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit?
Tobias Billstrom: Mendoj se më e rëndësishmja është që dialogu me Komisionin të vazhdojë. Ne e mirëpresim propozimin e Komisionit që të heqë kërkesën për vizat për Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë.
BBC: Dhe ju vlerësoni se Serbia i ka përmbushur që të gjitha kërkesat?
Tobias Billstrom: Po, Komisioni e ka marrë këtë vendim. Po.
BBC: Por kur bëhet fjalë për fqinjësinë, a nuk ka ndonjë kusht që Serbia duhet të bëjë përparime më të mëdha në raporte me Kosovën?
Tobias Billstrom: Dialogu për liberalizimin e vizave filloi në pranverë të vitit 2008 me vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë bërë marrëveshje të tilla lehtësuese me Be-në. Këta dialogë kanë vazhduar. Por Kosova nuk ka një marrëveshje të tillë lehtësuese. Ajo nuk ka një marrëveshje të tillë dhe nuk ka qenë asnjëherë pjesë e procesit të liberalizimit të vizave. Çështja e të ardhmes së Kosovës dhe pjesëmarrjes në procesin e liberalizimit të vizave është diçka që duhet ta kemi në një konsideratë të posaçme, sepse nuk ka njëzëshmëri në BE për statusin e Kosovës.
BBC: Dhe çfarë duhet të presin qytetarët e Kosovës nga BE-ja kur bëhet fjalë për këtë udhërrëfyes, jo vetëm për liberalizim të vizave por edhe për perspektivën evropiane të Kosovës?
Tobias Billstrom: Presidenca suedeze ka shpresë të madhe që Kosova do të mund të fillojë përgatitjet e rëndësishme që janë të nevojshme që ajo me kohë të futet në procesin e liberalizimit të vizave. Kjo mendoj unë se do të ishte rruga përpara por nuk mund të bëjë premtime.
BBC: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës tani?
Tobias Billstrom: Nuk është vetëm çështja e Kosovës, por ne kemi edhe situatën kur pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur sovranitetin, pavarësinë e Kosovës. Kjo është gjithashtu një çështje që duhet të merret parasysh kur flasim për procesin e liberalizimit të vizave. Ndërsa i inkurajojmë autoritetet në Kosovë që të vazhdojë me këto përgatitje të rëndësishme drejt përfshirjes në procesin e lehtësimit të vizave, gjithashtu është edhe çështje e BE-së, se si vendet anëtare e shohin statusin e Kosovës.
BBC: Pra Kosova do të mbetet e izoluar nga pjesa tjetër e botës?
Tobias Billstrom: Besoj se jo. Besoj se ne do të vazhdojmë të kemi dialog pozitiv me qyetarët e Kosovës që ata të fillojnë këto përgatitje të rëndësishme drejt marrëveshjeve lehtësuese të vizave. Shpresoj se kjo do të fillojë në një të ardhme të afërt.
BBC: Çfarë do të thotë e ardhme e afërt?
Tobias Billstrom: Është diçka që varet edhe nga përgatitjet e bëra nga Kosova, por gjithashtu edhe nga çështja e BE-së dhe si e shohim ne statusin e saj, meqë pesë vende ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur.