Vizat, Meta: Përmbushja në kohë e detyrimeve të Brukselit
Qeveria shqiptare po bën përpjekjet maksimale për përmbushjen në kohë të të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Brukseli për liberalizimin e vizave. Për konkretizimin sa më të shpejtë të tyre, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i bëri dje thirrje opozitës të marrë pjesë, duke dhënë kontributin e saj në procesin e heqjes së vizave, si një kusht i kërkuar dhe nga ndërkombëtarët. “Do të ishte me interes të këtij procesi që të mos mungonte të jepte kontributin e saj në të gjithë këtë proces edhe opozita. Kontribut që do të vlerësohej në përmbushjen e detyrimeve të kërkuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, - deklaroi Meta. Ministri i Jashtëm konfirmoi se qeveria është e angazhuar për të përmbushur detyrimet e kërkuara për procesin e liberalizimit të vizave, me qëllim mbajtjen e premtimit brenda afateve të përcaktuara. Zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, përmes një konference për shtyp bëri të ditur objektivat e përmbushura dhe ato që pritet të realizohen me qëllim liberalizimin e vizave. Ai pohoi se qeveria ka shprehur vendosmërinë e saj për të realizuar në një kohë sa më të shpejtë të gjitha detyrimet e kërkuara që do të bëjnë të mundur që qytetarët tanë të fitojnë një aspiratë shumë të rëndësishme, atë të liberalizimit të vizave të BE-së. Sipas Metës, të gjitha realizimet dhe përmbushjet e këtyre gjashtë muajve kanë të bëjnë me të katër blloqet e udhërrëfyesit të KE-së, ndërkohë që Komiteti Ndërministror në mbledhjen e fundit vendosi afate përshpejtuese dhe për të gjitha ato aspekte të cilat do të vijojnë të përmbushen në muajt e ardhshëm. Sa i përket lajmërimit të PS-së për protesta masive, Meta nuk beson se ato kanë synim të dëmtojnë procesin e heqjes së vizave për shqiptarët drejt zonës “Shengen”. Në të kundërt, sipas Metës, ata që do të prishin këtë proces, do të marrin ndëshkimin nga qytetarët shqiptarë. "Opozita është e lirë të bëjë protesta demokratike, por të bësh protestë kundër liberalizimit të vizave dhe kundër integrimit evropian është e çuditshme. Qeveria ka vullnet për të përmirësuar standardet e zgjedhjeve që u vlerësuan me shumë objektivitet nga partnerët ndërkombëtarë dhe natyrisht, ne jemi të vendosur për të arritur standardet më të larta të vendeve më të zhvilluara të BE-së”, - deklaroi z. Meta. “Në këtë drejtim, - shtoi ministri i Jashtëm, - edhe Kryeministri Berisha, dhe mazhoranca në tërësi, kanë qenë të hapur dhe e kanë ftuar lidershipin e PS-së të marrë rol drejtues në përmirësimin e mëtejshëm për reformën zgjedhore dhe të Kodit Zgjedhor”. “Kjo është një zgjedhje e opozitës që unë tani po e marr vesh si lajm, por është tërësisht e pakuptimtë. Të jeni të sigurt se qeveria do të bëjë detyrën e saj gjatë gjithë procesit të integrimit evropian dhe në veçanti për të përmbushur kërkesat e udhërrëfyesit për të siguruar liberalizimin e vizave. Të jeni gjithashtu të sigurt se të gjithë ata që do të përpiqen të vonojnë apo të dëmtojnë këtë proces, do të marrin ndëshkimin e qytetarit shqiptar, sepse për interesa të ngushta nuk mund të cenohet imazhi i vendit”, - theksoi z. Ilir Meta.