E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e NATO-s vizitojnë KFOR-in

PRISHTINË- Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropë, Admirali James G.Stavridis, së bashku me Udhëheqësin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giampaolo di Paola, vizituan sot shtabin qendror të KFOR-it dhe trupat në Kosovë.
Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Majori Erhard Bühler, mirëpriti ushtarakët e lartë në shtabin qendror të tij në Film City në Prishtinë. Ai i informoi admiralët rreth situatës së përgjithshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor dhe progresin e situatës së sigurisë për të cilën KFOR-i ka kontribuar në masë të madhe. Gjeneral Majori Bühler dha vlerësimin e tij për zhvillimet në veri të Kosovës që nga 25 korriku 2011.

“Pas eskalimit të ditëve të para të krizës, situata u përmirësua si rezultat i vendosmërisë dhe prezencës së lartë të KFOR-it në atë pjesë të Kosovës. Pas ndërmjetësimit për mirëkuptimin e përbashkët në mes të qeverive të Prishtinës dhe Beogradit, situata në përgjithësi u qetësua dhe liria e lëvizjes pati mundësi të rivendoset. Sidoqoftë ekziston një shkallë e lartë e tensionit në veri e cila e bën të nevojshme që KFOR-i të mbese në krye për të kontrolluar vendkalimet e autorizuara dhe paautorizuara në vijën administrative kufitare (ABL) së paku deri në fund të shtatorit”, thuhet në komunikatën e zyrës së KFOR-it për marrëdhënie me publikun.

Gjeneral Majori Erhard Bühler falenderoi udhëheqësit e tij të lartë të NATO-s për përkrahjen e tyre të shkëlqyer dhe zbarkimin e shpejtë e Batalionit Rezervë (ORF) i cili kontribuuon shumë për suksesin e këtij mison. Ai konfirmoi vendosmërinë dhe gatishmërinë e të gjithë ushtarëve të KFOR-it për të përmbushur misionin e tyre.

Më tej bëhet e ditur se “pas kësaj vizite në shtabin qendror të KFOR-it, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë dhe udhëheqësi i Komitetit Ushtarak shkuan në vendkalimin e Vijës Administrative Kufitare në Jarinje (porta 1). Ata u shoqëruan nga Komandanti i KFOR-it. Në portën 1 oficerët e lartë të NATOs u informuan rreth situatës, sitemin e kontrollit dhe incidentet gjatë 27 korrikut 2011 kur u sulmua vendkalimi dhe infrastruktura u djeg dhe shkatërrua”.
Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropë dhe udhëheqësi i Komitetit ushtarak falenderoi Gjeneral Majorin Erhard Bühler dhe ushtarët e KFOR-it për përkushtimin e tyre të shkëlqyer dhe menaxhimin e krizës gjatë javëve të fundit duke parandaluar një shperthim të dhunës së madhe. KFOR-i ka përkrahjen e plotë të udhëheqësve të tij dhe tash është me rëndësi të arrihet një zgjidhje paqësore e situatës nëpërmjet mjeteve politike.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›