E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e PS-së në rrethe, nis procesi i votimit, Dega e Tiranës zgjedh kreun e saj ditën e diel



Ka nisur dje procesi zgjedhor për krerët socialistë në rrethe, i cili do të përmbyllet brenda datës 12 korrik. Përveç Gjirokastrës, Sarandës, Vlorës dhe Librazhdit, procesi ka nisur në të gjithë Shqipërinë. Dega e Tiranës do t’i zhvillojë zgjedhjet ditën e diel në orën 11:00, në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku kandidojnë përballë njëri-tjetrit për kreun e PS-së së Tiranës Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj. Kjo është faza e fundit e procesit të zgjedhjes së drejtuesve të PS-së në rrethe. Ata do t’i nënshtrohen votimit mes alternativave, ashtu siç është vendosur nga Kryesia dhe menjëherë pas marrjes së votave, ata që do të zgjidhen do të jenë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare.
PS-ja nis kështu përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit që vjen, duke krijuar një pikë të fortë të një lidhjeje më të afërt me elektoratin, pas një përvoje jo të mirë që pati në zgjedhjet e vitit 2009 me strukturimin në bazë qarku. Në qytetin e Durrësit, nga shumë propozime, Kryesia la vetëm emrat e Gentian Bejkos dhe të Aurel Vodës. Në rrethin e Elbasanit konkurrojnë ish-deputeti Ndriçim Hysa, Arben Kamani, Astrit Halili. Në Korçë tashmë konkurrojnë Ilir Pendavinji, Bashkim Hazisllari, Ermir Skënderi, Muharrem Meko e kështu me radhë të gjitha rrethet kanë nga 2 apo deri në 4-5 kandidatura, të cilat do t’u shtrohen për zgjedhje anëtarëve të asambleve përkatëse. Në bazë të Statutit të ndryshuar, PS-ja tashmë do të funksionojë në bazë rrethi. Ky ndryshim, sipas asaj që ka shpjeguar sekretari Organizativ, Blendi Klosi, në një nga mbledhjet e Asamblesë Kombëtare, është bërë më shumë për qëllime elektorale. Pritet qe Asambleja Kombëtare e PS-së të shtohet edhe me 36 anëtarë të rinj pas zgjedhjes së kryetarëve të rretheve. Këtë, drejtuesit e PS-së e kanë cilësuar si një lloj rifreskimi që i bëhet forumit të lartë, duke futur emra të rinj në përbërjen e saj. Krerët e rretheve do të hyjnë automatikisht dhe me të drejtë vote në Asamble.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›