E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Të hetojmë materialet zgjedhore pa djegur fletët e votimit



Eneida Jaçaj

Opozita lëshon një ofertë të re në drejtim të zgjidhjes së krizës politike. Kryesocialisti Rama deklaroi dje se është gati të nisë procesin e hetimit të materialeve zgjedhore, por pa djegur fletët e votimit. Ky koment u bë teksa lideri i opozitës komentoi Rezolutën e Parlamentit Europian, të miratuar dy ditë më parë në Strasburg, ku kërkohet nga politika shqiptare që t’i jepet fund situatës së bllokuar në Shqipëri. Kryesocialisti Rama ka refuzuar faktin se neni 178 lejon djegien e materialeve zgjedhore, pasi transparenca është një e drejtë kushtetuese. Ai tha se në rast se nuk do të ketë një zgjidhje të krizës deri në muajin shtator, opozita do t’iu rikthehet protestave.

Hetimi i zgjedhjeve
“Jemi të gjithë të vetëdijshëm për qasjet e ndryshme ndaj fletëve të votimit atëherë jemi të gatshëm këtu të bëjmë dhe një kompromis që në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast nuk mund të përfshijë djegien e fletëve të votimit”. Kështu u shpreh kreu i selisë rozë ditën e premte, teksa komentoi kërkesën e Strasburgut për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Ai përjashtoi në mënyrë kategorike çdo kompromis me mazhorancën bazuar mbi djegien e fletëve të votimit. “Por, jemi të hapur për çdo kompromis lidhur me qasjen ndaj fletëve të votimit”, - tha zoti Rama. Sipas tij, “djegia e fletëve të votimit nuk është fundi i çdo përpjekjeje për çdo kompromis, por është edhe ndarja përfundimtare me këtë parlament dhe me këtë qeveri”. “Ne e kemi kërkuar dhe e kërkojmë dhe sot këtë të drejtë në një bazë ligjore ku komisionit hetimor ti jepet mundësia që qysh ditën e parë të marrë kutitë e dokumentacionit zgjedhor që i duhen për hetim. Kjo na është mohuar të paktën deri mbrëmë”, - tha kreu i opozitës. Ai shtoi se “në rast se kjo pohohet sot ne jemi të gatshëm të fillojmë bisedimet për të sqaruar qasjen ndaj kutive të votimit për të cilat jemi të hapur duke përjashtuar djegien e fletëve të votimit”.
Rama e paralajmëroi Berishën se nëse këto fletë votimi nuk lejohen për t’u hetuar, atëherë në shtator opozita do të vazhdojë përshkallëzimin e protestave.

Zgjedhjet vendore
Lideri i opozitës ka hedhur poshtë zërat se Partia Socialiste do të bojkotojë zgjedhjet e pushtetit lokal. “Socialistët nuk do t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme lokale, por as nuk do të heqin dorë nga hetimi i fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009, në emër të zgjedhjeve të ardhshme, dhe jo në funksion të zgjedhjeve të kaluara”, - deklaroi Rama. Kryetari i PS-së reagoi edhe ndaj bojkotit të socialistëve në seancën e së enjtes, ku u votuan dekretet e Presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Sipas Ramës, ndarjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike në Kuvend nuk e beson. "Votimi i djeshëm ishte thjesht farsë. Farsa e një koalicioni qeveritar që i është bashkuar në përpjekjen për të kapur shtetin dhe për të sunduar këtë vend. Këtë koalicion nuk e ndan asgjë dhe është i bashkuar në gjithçka", - u shpreh Rama. Ai sqaroi se mosprania e opozitës në Parlament gjatë votimit të kandidaturave nuk ka të bëjë me vendimin publik që është ndërmarrë për të mos votuar asnjë ligj nga qeveria, por nga fakti se u mohua liria dhe e drejta e votës së fshehtë. “Nëse nuk do të kishte ndodhur kështu, do të kishim marrë pjesë në votim”, - u shpreh Rama.

Vasili: “Rama të kërkojë falje publike për mosvotimin e gjyqtarit Sokol Çomo”

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i ka kërkuar kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, të bëjë falje publike që nuk i bashkoi votat me LSI-në për të votuar Sokol Çomon për anëtar të Gjykatës së Lartë. “Hipokriti Edi Rama, përpara se të shpifë për votë false të LSI-së lidhur me votimin e djeshëm për gjyqtarin Çomo, është vendi t’i kërkojë njëherë e përgjithmonë falje publikisht grupit të tij të deputetëve, por edhe komunitetit të gjerë të profesionistëve, të cilët e kanë ndjekur me interes qëndrimin pro profesionalizmit të LSI-së”, - u shpreh Vasili.
Ndërkaq, Vasili theksoi se Rama duhet t’i përgjigjet Rezolutës së PE-së, e cila interpretohet në mënyra të ndryshme nga dy kampet. “Është vendi për t’i kujtuar sërish demagogut hipokrit Edi Rama që në vend që t’i përgjigjet Rezolutës shumë të qartë të djeshme që vjen nga Europa, i konsideron, siç e vutë re dhe ju, si histori me ulje dhe ngritje koke, histori kalamajsh, çiliminjsh dhe fëmijësh kapriçozë, të papërgjegjshëm, të cilit politika i ka lënë e po i lë gjithmonë e më shumë pas duke u përpjekur të nëpërkëmbë ligjet e këtij vendi”, - u shpreh Vasili, duke shuar se “përfundimisht, Shqipëria, e cila u votua dje në Rezolutën e Parlamentit Europian, është Shqipëria e shtetit ligjor, është Shqipëria e nenit 178 të propozuar e të miratuar nga Edi Rama vetë, nën të cilin ai duhet t’u bindet si gjithë të tjerët”.

LSI-ja, kundër PD-së, Rama: “Kandidati Çomo, me integritet të lartë profesional”

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vlerësuar kandidaturën e rrëzuar nga maxhoranca të Sokol Çomos për anëtar të Gjykatës së Lartë, duke e konsideruar atë si profesionist. Në Kuvend, LSI-ja ka votuar pro kandidatit Sokol Çomo, por deputetët e rrëzuan duke votuar kandidatin Medi Bici. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, theksoi se LSI-ja e ka konstante të domosdoshme krijimin e kushteve për promovimin e specialistëve të zotë në të gjitha fushat. “Nga kjo pikëpamje, votimi në Kuvend i katër deputetëve të LSI-së pro kandidaturës për në Gjykatën e Lartë të Sokol Çomos, të propozuar nga Presidenti i Republikës, është së pari shenjë e integritetit politik të LSI-së, është dëshmi e faktit që deputetët e LSI-së udhëhiqen nga domosdoshmëria për të vlerësuar profesionistët”, - u shpreh Rama, duke shtuar se “ky qëndrim është motivuar nga fakti që cilësitë profesionale, integriteti intelektual dhe qytetar, dhe pa dyshim, kontributet në të mirë të vendit, janë dhe ngelen konstante të pandryshueshme në vlerësimin e secilit kandidat. Zoti Çomo, në vlerësimin e deputetëve të LSI-së, në vlerësimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ishte një kandidat që meritonte të votohej pro”. Rama vlerëson se Çomo është një personalitet me integritet profesional dhe intelektual dhe “pikërisht për këtë arsye ne gjykuam dhe vendosëm që të votojmë pro kandidaturës së tij. Natyrisht që ne jemi në koalicion me Partinë Demokratike për çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin europian dhe me zhvillimin e vendit. Por, ndërkaq, në ato raste kur gjykojmë se cenohen parimet apo kriteret që kanë të bëjnë me motivimin e profesionistëve të zotë në karrierën e tyre, atëherë ne nuk jemi ushtarët e rreshtit, por jemi forcë politike me integritet dhe me individualitet politik, dhe për këtë ne jemi një vlerë e shtuar në qeverinë e integrimit europian të Shqipërisë”, - nënvizoi Rama.
Luan Rama ka komentuar edhe miratimin e Rezolutës së PE-së. Sipas këndvështrimit të LSI-së, Rezoluta rithekson edhe njëherë rrugën nëpër të cilën duhet të ecë Shqipëria, dhe në mënyrë të veçantë, është dokumenti që përcakton në këtë mënyrë edhe sjelljen politike të klasës politike të vendit, e cila duhet të dominohet dhe të udhëhiqet nga interesat europiane të vendit, dhe jo nga interesat e njërit apo tjetrit grup.
“LSI-ja e vlerëson Rezolutën më të fundit të Parlamentit Europian, si një dokument të rëndësishëm që sjell në vëmendjen tonë apelin e nevojshëm për të krijuar klimën e domosdoshme të bashkëpunimit, për të gjetur atë çka është e përbashkëta në gjithë këtë moment të rëndësishëm që ka të bëjë me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, - u shpreh Rama, duke u bërë thirrje faktorëve politikë në vend që të vazhdojnë të gjejnë mundësitë dhe rrugët që i çojnë në dialogun politik.

PD, Mëhilli: “Rama ka lidhje të ngushta me trafikantë armësh”

Partia Demokratike akuzon kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se ka lidhje të ngushta me trafikantët. “Ka dy ditë që mediat elektronike dhe të shkruara paraqitën pamjen e një depoje armatimi të mbushur me armë të të gjitha llojeve, sasi të mëdha eksplozivi, si dhe flamuj të Partisë Socialiste, postera të mitingjeve të fundit e portrete të Edi Ramës. Kjo depo i përkiste një trafikanti armësh dhe banditi në kërkim Arben Simoni, një nga eksponentët kryesorë në protestat e Partisë Socialiste. Edvin Rama heshti si fije bari para kësaj ngjarjeje dhe me sa duket lidhjet e ngushta të tij me trafikantin tregojnë se Rama me siguri ndan me të të ardhurat e këtij trafiku kriminal”, - deklaroi Erla Mëhilli, zëdhënëse e PS-së. Ndërkaq, Mëhilli deklaroi se tri javë më parë u arrestua njëri prej eksponentëve të mitingjeve të Ramës dhe anëtar kryesor i bandës së Zani Çaushit.
“Partia Demokratike denoncon heshtjen e zotit Rama për veprat e bashkëpunëtorëve të tij si dëshmi e implikimit direkt të Ramës në veprimtarinë e tyre kriminale, si dhe u kërkon organeve kompetente të hetojnë lidhjet e zotit Rama me këta kriminelë”, - tha Mëhilli.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›