E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqata për Autonominë Vendore: KE të monitorojë sulmin e qeverisë ndaj pushtetit vendor



Eneida Jaçaj

Shoqata për Autonominë Vendore, e shqetësuar për sulmin ndaj autonomisë vendore nga pushteti ekzekutiv, ka kërkuar ndihmën e Këshillit të Europës që të monitorojë nga afër këtë situatë. Ndërkaq, Shoqata i ka bërë thirrje kryeministrit Sali Berisha të ndalë sulmin ndaj vendorëve dhe të dëgjojë raportin e “Freedom House”, i cili ka nxjerrë në pah sjelljet arbitrare të Ekzekutivit ndaj pushtetit lokal.
Reagimi
“Shoqata për Autonomi Vendore, e cila përfaqëson më shumë se 100 bashki dhe komuna të drejtuara nga opozita, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me hapat mbrapsht në reformën e decentralizmit të qeverisjes në Shqipëri, nën trysninë e arbitraritetit të maxhorancës, e cila nuk ndalet as para shkeljes së Kushtetutës, kur është fjala për të ndërmarrë akte që paralizojnë punën e bashkive dhe të komunave të drejtuara nga opozita”, - shprehet Shoqata Vendore në deklaratën për shtyp, duke i bërë thirrje qeverisë ‘Berisha’ që t’i lexojë me vëmendje raportet e organizmave ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, t’u vërë veshin shqetësimeve të qytetarëve, të atyre që e kanë votuar dhe të atyre që nuk e kanë votuar, dhe t’u japë fund sulmeve të paligjshme dhe tinëzare ndaj qeverive vendore dhe shërbimeve për qytetarët që jetojnë në njësitë që ato administrojnë”.
Raporti i “Freedom House”
Sipas Shoqatës së Vendorëve, sulmet e përshkallëzuara të qeverisë “Berisha” ndaj autonomisë vendore po tërheqin vëmendjen edhe të organizmave me autoritet ndërkombëtar, të cilët monitorojnë përparimin e demokracisë në vendet në zhvillim. Për ta ilustruar, Shoqata ka sjellë në kujtesë raportin e Freedom House, “Vendet në tranzicion 2010”, i cili i dha Shqipërisë notën 3 në vlerësimin e përparimit të demokracisë vendore, një notë kjo më e ulët se ajo për vitin 2009. Shoqata vlerëson se kjo është një tjetër notë negative që dëmton shpresat dhe përpjekjet e shqiptarëve në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Më tej, Shoqata e Vendorëve nënvizon se Raporti i “Freedom House” vë në dukje një sërë shqetësimesh që lidhen me veprimet arbitrare të qeverisë “Berisha”. Sipas Shoqatës, këto veprime arbitrare kanë për qëllim të asfiksojnë financat e qeverive vendore, duke penalizuar kështu qytetarët që vuajnë nga pakësimi i shërbimeve për ta për shkak të mungesës së fondeve. Shoqata deklaron se këto veprime të qeverisë qendrore, të cilat u intensifikuan pas zgjedhjeve lokale të vitit 2007, kur opozita fitoi në shumicën e bashkive kryesore të vendit, vazhduan edhe gjatë vitit 2009.
Duke vijuar referimin ndaj raportit të “Freedom House”, Shoqata e Vendorëve shprehet se gjatë vitit 2009, qeveria “Berisha” kufizoi diskrecionin fiskal të qeverive vendore nga 30% në 10%; reduktoi tarifat që mblidhen nga qeveritë vendore, duke i zvogëluar të ardhurat e buxheteve të tyre me 90%, pa i kompensuar bashkitë dhe komunat për humbjet e shkaktuara për hir të këtyre masave; aprovoi ligje që shkelin të drejtat e qeverive vendore për administrimin e territorit dhe ngadalësoi transferimin e pronësisë së kompanive të ujësjellësve te qeveritë vendore.

Berisha pret Presidentin e Konferencës Ipeshkvnore të Italisë

Kryeministri Sali Berisha priti dje në takim kardinalin Angelo Bagnasco, President i Konferencës Ipeshkvnore të Italisë, Arqipeshkop Metropolit i qytetit të Xhenovës në Itali, një nga personalitetet më të shquara dhe me prestigj në gjirin e Selisë së Shenjtë në Vatikan. Kardinali Angelo Bagnasco ndodhej në Shqipëri për të marrë pjesë në inaugurimin e hapjes, me mbështetjen e Kishës Katolike, të një qendre të re pritëse për njerëzit në nevojë në qytetin e Shkodrës. Kryeministri Berisha falënderoi kardinalin Bagnasco dhe i shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe punën e jashtëzakonshme që në fillimet e demokracisë në Shqipëri e deri sot, nga Kisha Katolike, KARITAS-i, misionaret dhe misionarët prezentë në vendin tonë, për të përkrahur dhe ndihmuar zhvillimin e ekonomik e kulturor të vendit, arsimimin e të rinjve, njerëzit në nevojë etj. Kardinali Angelo Bagnasco u shpreh i impresionuar nga ndryshimet rrënjësore që ka shënuar Shqipëria në vitet e fundit, shprehu mbresat dhe vlerësimet e tij për tolerancën tradicionale fetare dhe bashkëjetesën harmonike të besimeve në Shqipëri, si dhe falënderoi kryeministrin Berisha për mbështetjen e qeverisë shqiptare në punën që organizmat e Kishës Katolike bëjnë çdo ditë në drejtim të solidaritetit social.

10 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›