Rrëzimi i dekreteve, Topi: “Do të marrim shembull nga metodologjia e Kuvendit”
Eljona Ballhysa - Vetëm një ditë pasi demokratët në Kuvend rrëzuan dekretin Sokol Çomo për anëtar të Gjykatës së Lartë, ka reaguar dje për mediat Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Duke përdorur ironinë, kreu i shtetit tha se vlerëson metodologjinë rigoroze të ndjekur nga Kuvendi për vlerësimin e kandidaturave të përzgjedhura nga institucioni i Presidentit. Madje Topi tha se edhe institucioni i Presidentit do të marrë shembull nga kjo metodologji rigoroze e ndjekur nga Kuvendi për të vlerësuar kandidatura që vijnë nga institucionet e tjera. Kreu i shtetit gjithashtu ka komentuar situatën politike në vend duke iu referuar përmbajtjes së Rezolutës së Parlamentit Europian që bën thirrje për kompromis mes partive politike. Ndërkaq, presidenti Topi, i pyetur nga mediat për datën e zgjedhjeve të ardhshme lokale, u shpreh se kjo datë do të jetë nga pranvera e ardhshme.
Dekretet
“Vlerësoj metodologjinë rigoroze që po përdor Kuvendi. Nuk dua të komentoj mbi kompetencat e Kuvendit. Por edhe institucioni i Presidentit do të marrë shembull e do t’i shohë në mënyrën më rigoroze kandidaturat që vijnë nga pushtetet e tjera”, - është shprehur Topi për mediat nga Thethi, ku merr pjesë në konferencën “Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm - paqe sociale”. Por, kreu i shtetit ka theksuar se ndihet krenar për shkak se maxhoranca ka miratuar dy kandidatura që janë rrëzuar po nga kjo maxhorancë rreth një vit më parë.
Vetëm një ditë më parë PD-ja rrëzoi me 64 vota kandidaturën e Sokol Çomos për anëtar të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që miratoi atë të Medi Bicit. Argumentimi i PD-së ishte se kandidati Çomo, gjatë karrierës së tij si gjyqtar, ka pasur lidhje politike me Partinë Socialiste, gjë që sipas tyre ka ndikuar në rritjen e tij si gjyqtar karriere. Shkak për rrëzimin e Çomos u bë posti i zëvendësministrit të Drejtësisë që ai ka mbajtur gjatë qeverisjes së PS-së. Por maxhoranca ka miratuar dy dekrete të presidentit Topi për institucionet e pavarura, që më parë i kishte rrëzuar, gjë që vë në dyshim standardin e përdorur nga PD-ja.
Kriza
I pyetur për krizën politike në vend dhe për thirrjen që ka bërë Parlamenti Europian për zgjidhjen e saj në Rezolutën e miratuar vetëm një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën thirrje maxhorancës dhe opozitës të respektojnë standardet politike. “Kam bërë disa herë komente për situatën politike. Partitë duhet të respektojnë standardet. Duke mos mbajtur qëndrime unilaterale, gjërat bëhen më të zgjidhshme”, - deklaroi Topi dje në mesditë. Kreu i shtetit ka folur dhe për datën e zgjedhjeve të ardhshme duke shpresuar se “data do të jetë në pranverën e ardhshme”.
Konferenca
Konferenca për “Zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm – paqe sociale” u organizua dje në Theth nën kujdesin e veçantë të presidentit Topi, me pjesëmarrjen e zëvendësministres së Kulturës, Suzana Turku, funksionarëve të lartë të pushtetit lokal dhe rajonal, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri, si ambasadori gjerman, Bernd Borshard, kreu i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Lohan, përfaqësues të donatorëve të vendeve mike në Shqipëri, si dhe banorë të kësaj krahine. Në vijim, presidenti Topi iu drejtua të pranishmëve në konferencë me një fjalë të posaçme. Gjatë qëndrimit në Theth, presidenti Topi vizitoi Kullën e Ngujimit, e cila përfaqëson simbolikisht një traditë anakronike të gjakmarrjes dhe tashmë të lënë pas në vendin tonë dhe të tjera vende piktoreske për të cilat Thethi është i shquar si një ndër zonat më të bukura turistike të vendit tonë.
Talio
Thirrja
Ambasadori Bosh: “Palët të punojnë për të gjetur kompromisin”
Vetëm një ditë pas miratimit nga Parlamenti Europian i Rezolutës që mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ka reaguar dje ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Duke qenë një nga negociatorët aktivë ndërkombëtarë për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike, Bosh ka përshëndetur Rezolutën PE-së dhe ka bërë thirrje që liderët e politikës shqiptare të bashkëpunojnë për të gjetur kompromisin. “Unë nuk jam përfaqësues i Bashkimit Europian, por unë kam lexuar deklaratën e Parlamentit Europian dhe, mesa unë e kuptoj, është se ata po bëjnë thirrje për një bashkëpunim midis partive politike dhe kjo duket rruga e vetme. Duhet të gjenden pika për bashkëpunim dhe kompromis, dhe jo pika ku palët ndajnë qëndrime të ndryshme”, - është shprehur Bosh për mediat nga qyteti i Vlorës, ku merrte pjesë në forumin me temë “Europa ndërmjet meje dhe teje”.
Më tej, ambasadori Bosh theksoi se mënyra që një demokraci të zhvillohet dhe të funksionojë është bashkëpunimi në të gjitha nivelet, si në nivelin parlamentar, edhe në atë të pushtetit vendor. “Duhet që palët të ulen të gjitha së bashku dhe të arrijnë një kompromis. Kjo fjalë e shpjegon që duhet arritur në një pikë të përbashkët në mënyrë që çdo palë të mund të mbetet e lumtur nga ajo çka mund të arrihet”,- theksoi Bosh.
10 Korrik 2010