Nuk ka shanse për bujqësi socialiste
Nga Jemin Gjana*
Është shpalosur tashmë oferta e majtë për të na rikthyer tek bujqësia socialiste. Fjala nuk është për sistem kolektivist të Hoxhës, as për tufëzat dhe arëzat e Ramizit, por për programin socialist të Ramës. Rama ka bredhur dy vjet radhazi nga një katund në tjetrin dhe tash e shpalosi “enciklikën socialiste” të bujqësisë për ta hedhur në votim në 28 qershor të këtij viti. Si në të gjithë retorikën socialiste të këtyre ditëve, ku thelbi përtej të majtës dhe të djathtës është tërësisht absurd e amorf, e njëjta gjë po ndodh dhe me absurdin për programin e bujqësisë. Asnjë shans nuk ka që të rimashtrohen fermerët e Shqipërisë.
Po çfarë na ofron programi i Ramës, hartuar nga grupet vullnetare që duket se nuk kanë asnjë dije për bujqësinë dhe fshatin?
Është hedhur teza e sovranitetit ushqimor në Shqipëri. Kjo është një tezë programore në sens të kundërt me linjën tonë integruese. Ne tashmë jemi një treg i hapur edhe për bujqësinë e ushqimin. Jemi anëtarë prej vitesh të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) dhe kemi të ratifikuara e në zbatim marrëveshjet e tregtisë së lirë. Sovraniteti ushqimor i shpallur prej socialistëve vjen në kundërshtim të hapur me globalizmin dhe liberalizimin. Globalizmi dhe liberalizimi janë sot tendencë botërore, sepse përmes tyre gjendet rruga e zhvillimit të qëndrueshëm social, ekonomik dhe ekologjik. Përmes tyre reduktohet pabarazia mes vendeve e territoreve. Globalizmi dhe liberalizimi tashmë janë legjitimuar, sepse tregu mbetet rruga më e mirë dhe e vetme që ndërlidh kërkesën me ofertën dhe është vërtetuar përfundimisht se tregu i lirë sjell më shumë rritje ekonomike dhe më shumë pasuri.
Duke qenë një treg i hapur, sektori ynë i bujqësisë synon të prodhojë për vendin dhe për eksportin një gamë të madhe produktesh, por ne kurrë nuk mund të mendojmë për izolim e sovranitet ushqimor. Ne do të vazhdojmë të importojmë sheqer e oriz, të importojmë kafe e fruta ekzotike, të importojmë ato produkte me të cilat ne nuk kemi shans të jemi konkurrues në tregje. Ne kurrë nuk do të punojmë më si në rrethim, nuk do t’i nënshtrohemi absurdit të ligjit socialist të mbështetjes në forcat e veta apo parullës “lufta për bukën - luftë për socializmin”. Por ne do të vazhdojmë ta rrisim me hapa të shpejtë prodhimin e atyre produkteve me të cilat bëhemi konkurrues. Edhe viti 2008 ka vërtetuar prirjen tonë pozitive të rritjes së prodhimeve nga bujqësia. Në këtë vit, krahasuar me një vit më parë, janë prodhuar më shumë 86 mijë tonë grurë, 30 mijë tonë misër, 44 mijë tonë perime, 36 mijë tonë patate, 14 mijë tonë fruta, 29 mijë tonë ullinj, 1755 tonë vaj ulliri, 9 mijë tonë rrush, 2 mijë tonë agrume, 24 mijë tonë qumësht, 67 milionë kokrra vezë, 930 tonë mjaltë, 807 tonë konserva perimesh, 9 mijë hektolitra (HL) lëngje frutash, 150 mijë HL pije freskuese, 31 mijë HL qumësht i pasterizuar, 8.5 mijë HL verë etj.
Janë shënuar hapa të rëndësishëm në përmirësimin e raportit mes sasive të produktit vendas dhe atij që vjen nga importi në një shumicë artikujsh. Kështu, në vitin 2008, ne kemi prodhuar në vend 715 mijë tonë perime dhe kemi importuar vetëm 16 mijë tonë, kemi prodhuar 190 mijë tonë patate dhe kemi importuar vetëm 21.8 mijë tonë, kemi prodhuar 22 mijë tonë fasule dhe kemi importuar vetëm 360 tonë, kemi prodhuar 134 mijë tonë fruta dhe kemi importuar 79 mijë tonë, duke e ulur edhe me 16 mijë tonë importin e tyre krahasuar me një vit më parë. Kemi prodhuar 154 mijë tonë rrush, kemi importuar 5 mijë tonë ose 1700 tonë më pak se një vit më parë. Kemi prodhuar 70 mijë tonë mish, ndërkohë që importi është 35 mijë tonë. Kemi prodhuar 803 milionë kokrra vezë, ndërkohë që importi është një milion kokrra. Kemi prodhuar nga përpunimi 11.8 mijë tonë djathë dhe kemi importuar vetëm 1.3 mijë tonë, kemi prodhuar 10341 tonë sallame e proshuta dhe kemi importuar vetëm 4721 tonë. Kemi prodhuar në vend më shumë gjalpë, birrë, ujë etj. më shumë sesa kemi sjellë nga importi. Rritja e prodhimit në frutikulturë ka bërë që të kemi prodhuar 69.9 mijë tonë lëngje frutash në një kohë që kemi importuar vetëm 8.6 mijë tonë. Këta tregues i kanë dhënë prestigj prodhimit vendas në tregjet tona.
Një Ministri për Fshatin - është shpikja më e fundit socialiste ose, më saktë, loja socialiste me emra e fasada. Ministria aktuale e Bujqësisë e ka programin e zhvillimit integral për fshatin. Program të plotë, që është në zbatim e sipër për zhvillimin e qëndrueshëm rural. Në tre vjet, qeverisja aktuale ka investuar në zbatim të këtij programi 1.2 miliardë dollarë, katër herë më shumë se pararendësit tanë. Dy strategji të miratuara edhe nga komuniteti i donatorëve janë sot në zbatim, strategjia sektoriale e bujqësisë dhe strategjia e zhvillimit rural. Por socialistëve nuk u duhet funksioni i Ministrisë së Bujqësisë, u duhet fasada, janë mjeshtra për fasadat. Duan t’u thonë fermerëve se sa shumë i duan dhe sa shumë u duhen votat e tyre, aq sa ministrisë do t’i ndërrojnë emrin dhe do t’i vënë emrin e fshatit.
As më pak, as më shumë, ky emër fasadë të sjell në mendje emrin Mao Ce Dun që Fadil Hasa ia vuri djalit në filmin e tij më të fundit.
Do të krijojnë Agjenci për Biznesin; është teza tjetër programore e hedhur në treg. Luajnë me emrat e me fjalët se Agjencia sot është në punë. Ajo është e emërtuar AZHRB, Agjencia për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor dhe është krijuar sipas ligjit të miratuar nga mazhoranca e sotme si dhe të vendimit të qeverisë “Berisha” nr. 1443, datë 30 tetor 2008. Kjo agjenci është sot në aktivitet të plotë sipas modelit evropian. Për forcimin e saj dhe për zhvillimin rural, nga programi IPA i Brukselit janë dhënë 2.6 milionë eurot e para. Në tri vitet e fundit kjo agjenci ka dhënë për fermerë, jo pak, por afër 30 milionë dollarë mbështetje direkte për shtimin e sipërfaqeve me vreshta, pemëtore, ullishte, sera me ngrohje, sera diellore, produkte bio, sistemet e ujitjes me pika, prodhimin e vajit ekstra virgjin, për lopët e qumështit, për delet, për bletarinë, për reduktimin e normave të interesit për kreditë e marra për zhvillimin e veprimtarive agro-përpunuese, për persona e kompani që ruajnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte bujqësore. Ndërkohë, për vitin 2010 janë të planifikuar 22 milionë dollarë të tjera mbështetje direkte për bujqësinë. Atëherë, për cilën agjenci bëjnë fjalë socialistët, për cilat skema dhe për cilat fonde, përveçse si gjithmonë fjalë, emërtime dhe mashtrime pa asgjë në thes?
Do të rikthejnë naftën për fermerët është mashtrimi i dyfishtë socialist. I dyfishtë sepse ata gjoja e zbatuan këtë program për disa vite radhazi, kur ishin në pushtet, por asnjë litër karburant nuk shkoi tek fermerët. Por si mjeshtra për vjedhje e mashtrim, ata e duan përsëri këtë skemë, që ne e zëvendësuam me, siç thamë, 30 milionë dollarë të investuar në 19 skema mbështetëse për fermerët, duke pohuar me siguri se çdo njësi monetare ka shkuar në llogaritë bankare të fermerëve. Kush pretendon të kundërtën, le të gjejë prova e fakte, por të tilla nuk ka. Rama me socialistët e tij duan të rikthejnë tollonin. Nuk rrinë dot pa tollona. Tolloni është e mbetet simboli i rrënimit, simboli i fukarallëkut dhe i denigrimit njerëzor. Socialistët e viteve 2000 – 2005 i shtuan tollonit të paraviteve ’90 edhe një simbolikë tjetër, përmes tollonit të naftës pa akcizë. Tolloni i naftës pa akcizë – simboli më i qartë i vjedhjes. Ne jemi kundër tollonit, sepse jemi kundër vjedhjes. Para për skema mbështetëse, por pa tollona, tek fermerët kemi dërguar e do të dërgojmë disa herë më shumë se vlera e tollonave të vjedhur ndër vite.
Do të kemi një program, thonë socialistët, për konsolidimin e tokës dhe i kanë venë dhe një emër të madh, Kodi i Tokës. Si gjithmonë mjeshtra për emra, për parulla, për fasada. Konsolidim i tokës në thelb do të thotë që fermerët të mbështetën për të shkëmbyer ndër vete parcelat e copëtuara që ata kanë në pronësi, me qellim që të rritet përmasa e madhësisë së fermës. Dhe duan ta bëjnë këtë ata që për dy vjet nuk pranuan për të votuar në Parlament ligjin “Për verifikimin e titujve të pronësisë”. E bënë jo pa qëllim kundërshtimin për këtë ligj, dhe qëllimi tashmë del me sheshazi. Nuk duan asnjë verifikim, por duan të legjitimojnë hajdutët dhe abuzuesit me titujt e pronësisë, ata që kanë përfituar tituj në kundërshtim me ligjin. Madje shkojnë më tej, duan të ndërtojnë një program që hajdutët të shkëmbejnë pronat me njëri-tjetrin dhe t’u japin atyre legjitimitet. Nuk mund të ketë program për konsolidimin e tokës pa përfunduar me transparencë të plotë ligji për verifikimin e titujve të pronësisë. Vetëm pas kësaj mund të ketë program që legjitimistët të shkëmbejnë pronat e tyre. Veç kësaj, ky program bëhet funksional sa më shumë fermerët të shohin interes dhe mbështetje për aktivitetin e tyre
Do të presim sa duket në ditët në vazhdim dhe përralla të tjera për fshatin. Por programet e bujqësisë tashmë janë programe të konsoliduara. Ato janë në trendin e politikave evropiane të bujqësisë. Programi i pagesave direkte, programi i ujitjes dhe kullimit, programi i standardeve të sigurisë ushqimore, shtuar këtu edhe programin më të fundit – programin e madh të ullirit. Në tërësi programi që ne kemi hartuar dhe po zbatojmë për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe bujqësor, tashmë ka zënë vend.
Ne nuk pretendojmë se kemi zgjidhë plotësisht problemet e bujqësisë, po kur shohim dhe analizojmë ndryshimet e bëra në këto pak vite të fundit, bindemi se kemi punuar me një filozofi të qartë në këtë sektor. Bazuar në këtë filozofi dhe duke menaxhuar ditë për ditë, ia dolëm që ta bëjmë programin dhe politikat bujqësore më të thjeshta, më tingëlluese, më të forta dhe më transparente.
Politika më e mirë është politika transparente, por politikanët, analistët, qytetarët, lobistët etj. duhet të shohin përpara dhe jo të kthehen mbrapsht me politika të paqarta, aq më tepër me politika lojëra fjalësh.
Ne jemi të angazhuar t’i thellojmë këto politika në përputhje të plotë me programin evropian të bujqësisë e në respekt të veçorive, specifikave dhe përparësive tona të zhvillimit.
*Ministër i Bujqësisë