Prokurori- Policia, analizë pa fryte
Vrasja e Xhindit
Dje, për herë të parë, analiza e hetimit të vrasjes së deputetit është zhvendosur nga Fieri në kryeqytet
Ekzaminimet kriminaliste konfirmojnë mungesën e gjurmëve në pakon e aspirinave të gjetur pranë vendit të vrasjes
TIRANE- Gjashtë ditë pas vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi, grupi hetimor i ngritur për hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje ka zhvilluar një analizë dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
Takimi është zhvilluar dje në mesditë, kur grupi hetimor i drejtuar nga prokurorët Kosta Belhuri, Ardian Nezha, Adnand Xholi dhe Besnik Muçi, si dhe krerët e hetimit nga policia zëvendësdrejtori i Departamentit të Hetimit, Agron Kuliqi, e Drejtori i Hetimit të Krimeve të Rënda Nikolin Bala, si dhe ai i Policisë së qarkut të Fierit, Shemsi Prençi, të gjithë në prani të kryeprokurorit të Krimeve të Rënda Olsi Çela.
Për më tepër se tri orë, hetuesit e çështjes, kanë analizuar faktet e mbledhura në terren, në lidhje me vrasjen e deputetit socialist të shtunën e javës së kaluar. Në fund të takimit, asnjë prej të pranishmëve nuk ka pranuar të deklarojë elemetë të hetimit që mund të jenë të vlefshëm ose jo në zbardhjen e vrasjes së deputetit.
Në fund të takimit, të gjithë drejtuesit e Policisë dhe të prokurorisë janë larguar pa folur. Ndërkaq, drejtori i Policisë së Qarkut të Fierit, Shemsi Prençi, dukej se nuk ishte aspak i gëzuar pas takimit.
I pyetur nga Top- Channel ai pohoi se gazetarët i zbulonin gjërat para kohe ndërsa ai nuk dinte gjë në lidhje me inicialet e një personi të dyshuar të publikuar nga mediat.
Prençi mbylli derën e autoveturës së tij, pa shtuar asnjë fjalë. Ndërkaq dje nga Laboratori Kriminalistik I Institutit të Policisë Shkencore, ka mbërritur një tjetër rezultat negativ.
Sipas tyre, në sendet e administruara nga policia në cilësinë e provave materiale nuk janë gjetur dhe nuk janë administruar gjurmë gishtërinjsh apo kampione të ndryshme biologjike që mund të ndihmonin policinë në identifikimin e autorëve të krimit të ndaj Xhindit, apo së paku në zbulimin e rrethanave të përafërta që të çonin drejt autorëve.
Sipas burimeve, në një pake me tableta aspirinash dhe në një qese të gjetur pranë vendit të vrasjes së Xhindit nuk ishin gjetur gjurmë gjatë ekspertimeve kriminalistike të kryera prej tyre. Ndërkaq, policia e Fierit, prej disa ditësh, po punon për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve të krimit të kryer ndaj deputetit socialist Fatmir Xhindi.
Gjatë kësaj kohe, blutë kanë shoqëruar me dhjetëra persona nga zona e fshatit Kurjan dhe nga Roskoveci i Fierit, të cilët janë marrë në pyetje nga hetuesit dhe specialistët e hetimit që po punojnë me zbardhjen e çështjes.