E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura Shtetërore, hartohen kodet identifikuese



Gati baza materiale e Maturës Shtetërore. Dje, Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ka hartuar listën me kodet identifikuese për të gjithë kandidatët që këtë vit do të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të larta në universitetet publike të vendit. Në këtë mënyrë, është bërë thuajse gati baza materiale për ata nxënës të viteve të fundit të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme, që do të thirren për të dhënë përkatësisht Provimet e Lirimit dhe Maturën Shtetërore.

Kodet

Secili prej maturantëve do të ketë një numër unik identifikimi, i cili do të zbulohet vetëm pasi të jenë korrigjuar testet e provimeve, për të bërë lidhjen e pikëve të arritura me emrin e kandidatit që është përfshirë në garën e pranimeve për në universitet. Bazuar në të dhënat e dorëzuara në lidhje me aplikimet e kryera nga maturantët e rinj dhe ata të vjetër (nëpërmjet plotësimit të Formuarit A1), Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA), tashmë i ka pajisur të gjithë këta aplikues me një numër të caktuar regjistrimi.

Sipas afateve të përcaktuara në rregulloren e provimeve të maturës për këtë vit, që nga 2 maji AVA ka dërguar pranë komisioneve të maturës të ngritura në drejtoritë arsimore të çdo rrethi njoftimin ku jepet numri i regjistrimit për çdo nxënës si dhe të dhënat e tjera identifikuese të tij. Ndërkohë që ky komision deri në mbyllje të ditës së sotme, duhet të bëjë shpërndarjen e këtyre numrave të regjistrimit pranë komisioneve homologe që janë ngritur në shkollat e mesme. Më pas do të jenë këto të fundit që do të mundësojnë afishimin e tyre në mjediset publike të çdo shkolle ku çdo nxënës mund të shohë barkodin e tij që do të përdoret përkundrejt emrit në fletët e provimeve.

Hartimi

Lista e numrave të regjistrimit është hartuar sipas një rendi zbritës, sipas të dhënave të mbledhura për të gjitha shkollat. Po në bazë të kësaj liste, do të bëhet dhe grumbullimi i testeve dhe shpërndarja e tyre e mëpasshme pranë qendrave ku do të bëhet vlerësimi.

Gjithashtu, me mbylljen e shkollës e deri në ditën kur do të jepet provimi i parë i detyruar, do të zhvillohen konsultime nga mësuesit e lëndës për çdo paqartësi që vetë nxënësit mund të kenë. Tezat e provimit, si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje do të përmbajnë pyetje me alternativa si dhe pyetje me shtjellim dhe në bazë të përgjigjeve do të jepet dhe vlerësimi me pikë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›