E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e institucioneve urojnë për Krishtlindje

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë uruar besimtarët katolikë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Presidenti Fatmir Sejdiu u ka dërguar urime Papa Benediktit XVI, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji dhe të gjithë besimtarëve katolikë dhe qytetarëve të Kosovës.

“Duke ju shfaqur edhe një herë falënderimin për kujdesin Tuaj të vazhdueshëm dhe të Selisë së Shenjtë për vendin tim, ju lus, Shenjtëria Juaj, që ta keni parasysh kërkesën tonë për njohjen e Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në telegramin e urimit të presidentit Sejdiu, dërguar Papa Benediktit XVI.

“Njohja e Republikës së Kosovës nga Vatikani pritet me padurim nga i gjithë populli i Kosovës, i cili, si gjithmonë, është shembull i rrallë i bashkëjetesës, i harmonisë dhe i tolerancës në mes njerëzve të etnive dhe besimeve të ndryshme”, thuhet më tutje në telegram.
Presidenti Sejdiu ka bërë të ditur se me dekret të veçantë e ka shpallur vitin 2010 Vit të Nënës Terezë në Kosovë, dhe ka shprehur besimin se “bashkë me Katedralen me emrin e saj, që do ta hapim në Prishtinë, të na sjellë edhe bekimin e vendit tonë nga Ju Ati i Shenjtë dhe nga Selia Juaj”.

Edhe kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar ipeshkvin Dodë Gjergji dhe gjithë besimtarët katolikë. “Kjo festë kremtohet gjerësisht në shumë vende të lira, të përparuara dhe me zhvillim të lartë kulturor, shkencor dhe demokratik. Përmes kësaj feste bota e krishterë përçon mesazhin e lindjes së besimit në idetë e kulturës dhe civilizimit perëndimor, në vlerat e humanizmit dhe mirësisë globale”, thekson Thaçi.

Ai ka shtuar se kjo festë kremtohet në Kosovë me dinjitet dhe respekt të lartë në të gjitha familjet e besimit katolikë, duke i dhënë shkëlqim dhe solemnitet respektit të vazhdueshëm për njëri tjetrin. Kryeministri ka uruar që Krishtlindjet në Kosovë, të gjitha familjeve besimtare t’u sjellin edhe më shumë lumturi, begati, harmoni, paqe dhe përparim në të gjitha fushat.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›