Basha; Numri i vrasjeve në vend, më i ulëti në dhjetë vite
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka vlerësuar rezultatet e arritura nga strukturat e Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në goditjen e elementëve dhe grupeve kriminale, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e klimës së sigurisë në vend. Deklarata e Bashës u bë gjatë zhvillimit të analizës për vitin 2009 të Departamentit të Hetimit të Krimit dhe të Departamentit të Kufirit dhe Migracionin të Policisë së Shtetit. Duke u ndalur te fakti se krimi i vrasjes për këtë vit, me 79 raste, është më i ulëti i regjistruar në dhjetë vitet e fundit, Basha nënvizoi se ky tregues, dukshëm më pozitiv edhe se një pjesë e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, është tregues i frenimit të kriminalitetit përballë forcës së Policisë së Shtetit. Numri një i Ministrisë së Brendshme u shpreh se rezultatet në këtë drejtim dëshmojnë më së miri për luftën pa kompromis dhe me tolerancë zero të strukturave të Policisë së Shtetit kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme. E ndërsa vlerësoi nivelin e zbulueshmërisë së veprave kriminale në masën 88%, Basha kërkoi rritjen e mëtejshme të profesionalizmit dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve teknike dhe burimeve njerëzore për t’iu përgjigjur sfidave të reja në luftën kundër të gjitha dukurive kriminale. “Përmirësimi i punës parandaluese e zbuluese dhe rritja e forcës goditëse ndaj të gjitha veprimtarive kriminale, forcimi i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i sigurisë për qytetarët shqiptarë, rritja dhe thellimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me strukturat homologe të rajonit dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, të qenit partner i besueshëm, i përkushtuar dhe rezultativ për organizmat policore ndërkombëtare, duhet të jenë objektivat dhe baza kryesore e punës së Policisë së Shtetit, e posaçërisht e Departamentit të Hetimit të Krimit”, - u shpreh ministri Basha.
Basha: Arritje në instalimin e sistemit TIMS
Vlerësime dhe përgëzime të posaçme shprehu ministri Basha për veprimtarinë e kryer gjatë këtij viti nga Departamenti i Kufirit dhe Migracionit. Ministri Basha cilësoi si arritje tepër të rëndësishme instalimin e sistemit TIMS në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe pajisjen e këtyre pikave me mjetet dhe teknologjinë më të avancuar të kontrollit, instalimin e sistemit të analizës së informacionit MEMEX në drejtoritë e policisë në qarqe dhe vënien në funksionim të qendrës operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Basha vuri theksin në faktin se një pjesë e rëndësishme e kritereve të përcaktuara për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian ka të bëjë pikërisht me përmbushjen e detyrave të përcaktuara për Departamentin e Kufirit dhe Migracionit. “Kërkoj angazhimin tuaj të plotë për të përmbyllur fazën finale të detyrimeve të përcaktuara në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave për sa i takon menaxhimit të integruar të kufirit. Standardet e vendeve “Shengen” duhet të jenë pikë për pikë standardet e punës suaj të përditshme për kontrollin kufitar. Objektivi ynë kryesor në këtë drejtim është marrja e një vlerësimi sa më pozitiv nga ekspertët e Komisionit Evropian në misionin e tyre monitorues për kufirin dhe migracionin”, - u shpreh ministri i Brendshëm, z. Lulzim Basha.