Krerët e pushtetit lokal, tani me Pasaportë Shërbimi
TIRANË- Të gjitha kryetarët e bashkive dhe komunave do të pajisen me Pasaportë Shërbimi. Një gjë e tillë është bërë e mundur vetëm dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kur është miratuar një projektvendim i posaçëm, i cili parashikon një ndryshime në Vendimin e Këshillit të Ministrave “Për lëshimin e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit”. Sipas ndryshimit në fjalë, në listën e gjatë të personaliteteve dhe zyrtarëve të shtetit që pajisen me pasaportë shërbimi, shtohen edhe kryetarët e bashkive dhe të komunave. Në relacionin që i bashkëngjitet projektvendimit sqarohet se, pajisje me pasaportë shërbimi për kryetarët e bashkive e të komunave, do të lehtësojë lëvizjen e tyre, e sidomos në vendet fqinje, duke i përjashtuar nga procedurat e marrjes së vizave në vendet e rajonit. “Duke i njohur këtë të drejtë kryetarëve të bashkive dhe komunave i krijohen lehtësitë e nevojshme për të intensifikuar bashkëpunimin me homologët e tyre, me qëllim krijimin e binjakëzimit dhe realizimit të projekteve të përbashkëta”,- thuhet në relacion që mban firmën e ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha. po sipas këtij relacioni, “propozimi i përfshirjes përsëri në kategorinë e përfituesve të pasaportave të shërbimit mbështetet në natyrën përfaqësues të funksionit të tyre, i cili justifikon imunitetin që ofron pasaporta”. Vetëm pak ditë më parë, gjatë punimeve të Kuvendit, marrja e vizave nga ana e krerëve të pushtetit lokal është ngritur si shqetësim nga deputeti demokristian, Frrok Gjini. Sipas tij, është nuk është aspak normal, që një kryetar bashkie apo komune të rrijë me ditë të tëra para një ambasade për t’u pajisur me një vizë. Kryeministri Sali Berisha mbështeti shqetësimin e deputetit të PDK-së dhe njoftoi se, shumë shpejt, vendimi për krerët e pushtetit lokal do të kalonte në qeveri. Dhe në fakt, ashtu ndodhi, kur vetëm dje qeveria riktheu sërish në fuqi të drejtën e pajisjes me pasaportë shërbimi për kryetarët e bashkive dhe komunave.