PS: Arritjet e qeverisë, gënjeshtra e vitit e Kryeministrit
“Kryeministri gënjeu sa për një vit, kur tha se qytetarët në Shqipëri janë ndjerë më të lirë se çdo herë tjetër”
Partia Socialiste hedh poshtë si të pavërteta, të gjitha konkluzionet e prezantuara dy ditë më parë nga kryeministri Sali Berisha për rezultatet e punës njëvjeçare të qeverisë së tij. Nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, duke iu referuar pikërisht analizës së bërë nga kreu i Ekzekutivit ka renditur të gjitha disfatat, siç i konsideroi ai, të një vit qeverisjeje. Sipas Braçes nga e gjithë ajo pasqyrë e bërë nga Kryeministri, i vetmi fakt i vërtetë është pamundësia e tij për të parashikuar kohën se kur vendi ynë do të mund të dalë përgjithmonë nga kriza energjetike. Çdo e dhënë tjetër e servirur si sukses i qeverisë është konsideruar prej tij si një gënjeshtër e radhës e Kryeministrit. “Në të gjitha këto raporte të institucioneve ndërkombëtare të këtij viti, ne kolovitemi midis Xhibutit dhe Kaboxhias. Kryeministri, gënjeu kur tha se në këtë vend ka një ekonomi funksionale tregu, kjo pasi nga këto raporte është vlerësuar se Shqipëria për konkurrueshmërinë renditet mes Xhibutit dhe Kaboxhias dhe për korrupsionin, mes Kamboxhias dhe Kamerunit”,- u shpreh Braçe, duke theksuar se tregu për të cilin flet Kryeministri është i kapur nga monopolet. Sipas PS-së, tregu i naftës, i ndërtimeve, i çimentos dhe ai i cigareve vazhdojnë të mbeten monopol. Duke u përpjekur që të ballafaqojë faktet konkrete, numri dy i grupit socialist ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Kryeministrit se Shqipëria aktualisht furnizohet me 24 orë energji. Sipas tij, situata energjetike në vend vazhdon të mbetet e rëndë sidomos në rrethe dhe aq më keq akoma në fshatra, të cilat sipas tij vuajnë sot rreth 11 orë ndërprerje në ditë. Gjithashtu një tjetër moment, ku sipas selisë rozë Kryeministri gënjeu, është edhe ai që ka të bëjë me eliminimin si praktikë të prokurimeve publike. “Që nga viti 2005 e deri tani, vetëm KESH ka kryer 27 praktika prokurimesh të drejtpërdrejta ose të praktikave me negocim pa shpallje publike paraprake, që kapin vlerën e 450 milionë eurove. Mjafton t’ju sjell në vëmendje faktin, ashtu si edhe FMN dhe Banka Botërore, që prokurimi i drejtpërdrejt dhe korruptiv ka qenë prokurimi prej të paktën mbi 650 milionë eurove vetëm për një segment të rrugës Durrës-Kukës, për segmentin Rrëshen-Kalimash”,- u shpreh Braçe. Të pavërtetë e ka konsideruar PS edhe pretendimin e Kryeministrit për rritjen e pensioneve në mbi 114 dollarë në qytet dhe me mbi 80 për qind në fshat. Sipas kësaj force politike, këto shifra janë shumë herë më të ulëta. “Pensionet në qytet, gjatë vitit 2007, në krahasim me vitin 2005 u rritën nga 10.2 deri në 24%. Pra nga 8650 lekë të rinj, 10 410 lekë të rinj. Bëjeni vetë diferencën. Pensionet në fshat, në fund të vitit 2007 arrijnë në 53%më shumë sesa viti 2005. Pra, nga 3540 lekë të rinj në 5410 lekë të rinj”,- tha nënkryetari i grupit socialist. Gjithashtu, sipas tij, edhe pretendimi tjetër për kufizimin e shpenzimeve qeveritare në masën e 100 milionë eurove nuk qëndron. Për të argumentuar këtë Braçe ka theksuar se vetëm kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kanë rritur në mënyrë të paparashikuar shpenzimet për udhëtimet e tyre jashtë vendit. Të dy këta zyrtarë të lartë, sipas tij, kanë mundur që të udhëtojnë për më shumë 1 miliardë km jashtë vendit. Rezultate krejt të ndryshme ka regjistruar selia rozë edhe për fushat e medias, rritjes ekonomike, inflacionit, drejtësisë, investimet publike etj.
Braçe: “Informacionet për Bashën na janë servirur nga PD”
Socialistët këmbëngulin në kërkesën e tyre për dorëheqjen e Lulëzim Bashës nga posti i ministrit të Jashtëm. Edhe dje selia rozë ka ripërsëritur kërkesën e saj për largimin e Bashës nga ky pozicion në ekzekutiv, si mundësia e vetme për të çliruar organin e akuzës nga çdo pengesë në hetimin e vet. Numri dy i deputetëve socialistë, Erion Braçe ka theksuar se Basha s’mund të përfaqësojë më Shqipërinë në marrëdhëniet ndërkombëtare, pasi është në hetim. “Ky njeri nuk mund të jetë flamuri jonë kombëtar. Nuk mund të jetë flamuri ynë në përballje me të gjitha institucionet ndërkombëtare, apo edhe me homologët e tij. Z.Basha duhet ta japë dorëheqjen tani, jo pasi të fitojë lirinë Ramush Haradinaj”,- tha Braçe. Ai nuk ka ngurruar që ta cilësojë ministrin e Jashtëm dhe si një viktimë e luftës së klaneve në PD. Kjo pasi, sipas Braçes, çdo informacion që ka pasur të bëjë si me pasurinë e Bashës, ashtu edhe për përfshirjen e tij në të ashtuquajturën afera korruptive e rrugës Rrëshen-Kalimash, është servirur nga eksponentët demokratë. “Lufta e brendshme apo lufta mes klaneve në PD nuk mund të kthehet në standard për shoqërinë shqiptare. Sot po ju them një sekret, që po e them pas dy vitesh përplasjeje dhe me z.Basha. Të gjitha të dhënat, qoftë për pasurinë e z.Basha, qoftë për aferat korruptive të tij, qoftë për aferën më korruptive, atë të ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash, kanë ardhur nga PD. Dhe po të dojë prova, jam gati t’ia jap dhe provat”,- u shpreh Braçe.