Qeveria, reformë në Drejtorinë e Shërbimeve
TIRANË- Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare do t’i nënshtrohet procesit të reformimit administrativ, me qëllim reduktimin e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave, duke ulur në këtë mënyrë edhe subvencionin nga buxheti i shtetit. Reformimi në fjalë do të ndodhë gjatë vitit 2008 dhe bëhet i ditur në relacionin që shoqëron projektvendimin e miratuar dje nga qeveria, me anë të së cilit u shtua një fond prej 60 milionë lekësh për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare, për shpërblimin e punonjësve me rastin e festave të fundvitit. Në relacion thuhet gjithashtu se, edhe pse nuk ka munguar dëshira për të motivuar stafin me shpërblim financiar, kufizimet ligjore kanë ndikuar për mosdhënien e shpërblimeve ngaqë ndërmarrja ka rezultuar me humbje. Për pasojë, sqarohet më tej, punonjësit e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare nuk kanë përfituar asnjëherë shpërblime në fund viti, si pjesa tjetër e administratës shtetërore. Në relacionin e projektvendimit bëhet dhe një sqarim se ku konsiston puna e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, ku ndër të tjera thuhet se, ky institucion, për vetë natyrën e punës, nuk ka mundur të realizojë fitim neto dhe për këtë arsye diferenca negative, ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, është mbuluar nga Buxheti i Shtetit në formën e subvencionit.