Taksisti pre e tre të rinjve, e masakrojnë për grabitje
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Masakrohet taksisti e më pas i grabisin paratë e makinën.
Agron Perlati, 61 vjeç pësoi plagë të rënda si pasojë e dhunës së tre të rinjve, të cilëve po iu shërbente me taksinë e tij. Ai është gjetur rreth orës 19:30 të së premtes, gati pa ndjenja në mes të një pellgu gjaku. Vendi ku e kishin hedhur ishte i zhytur në errësirë, larg rrugës kryesore të lagjes nr.4, e cila ndodhet në periferi të qytetit. Kalimtarë të rastit dëgjuan rënkimet dhe thirrjet e tij për ndihmë e tij. Ata e çuan ne spitalin e Korçës, por pas ndihmës së parë mjekët vendosën ta nisin tek ushtaraku në Tiranë. Ngjarja, sipas taksistëve të tjerë dëshmitarë, zë fill në orën 19:15, kur Agron Perlati është marrë tek vendi i parkimit të taksive nga një klient, me moshë rreth 25 vjeç. Ai i ka kërkuar 61-vjeçarit ta çojë në lagjen nr. 4 të Korçës. Por pas hetimeve të kryera rezultoi se rreth 100 metra më tej, klienti i ka kërkuar që të merrte në taksi edhe dy shokë të tij që prisnin tek hyrja e një hoteli. Mbasi kanë kaluar spitalin dy të rinjtë që qëndronin në sediljen e pasme e kanë detyruar taksistin të ndalojë mjetin dhe më pas e kanë goditur me një levë hekuri prapa kokës, duke i krijuar një të çarë të thellë. Pas goditjes së parë ata i kërkuan të gjitha paratë që kishte me vete. Kur taksisti ka nxjerrë nga xhepi një sasi lekësh, grabitësit kanë mbetur të pakënaqur dhe kanë vazhduar ta qëllojnë ku të mundnin, derisa e kanë parë se humbi ndjenjat. Më pas e kanë hequr zvarrë nga taksia dhe e kanë çuar në një vend të errët, larg rrugës ku kalonin mjetet e njerëzit. Sapo janë larguar grabitësit viktima ka arritur të kërkojë ndihmë. Thirrjet e tij janë dëgjuar nga kalimtarë të rastit, të cilët e kanë gjetur thuajse pa ndjenja, me plagë të shumta në kokë dhe në trup. Përveç parave që i gjetën nëpër xhepa, grabitësit i kanë marrë edhe mjetin tip "Benz" taksistit me të cilën janë larguar. Makina u gjet në ekstremin tjetër të qytetit, afër ish-fabrikës së fajancës. Djemtë, ende të paidentifikuar i kishin vjedhur kasetofonin mjetit si dhe disa sende të tjera të 61-vjeçarit. Burime të policisë së Korçës bënë të ditur se grabitësit kanë qenë tre persona të moshës 22-25 vjeç. Sipas dëshmive të taksistëve të tjerë, të cilët kanë qenë në vendin e parkimit të taksive në momentin që klienti kërkoi shërbimin taksi, ka qenë një grup prej tre të rinjsh që janë vërtitur në atë orë në atë vend.