E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit nderime tek Dëshmorët

Krerët e Shtetit, Presidenti Topi, Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentarja Topalli kanë uruar sot shqiptarët për dy festat e mëdha të vendit, Ditën e Pavarësisë dhe Ditën e Çlirimit.
Ata vendosën kurora me lule, si çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve si dhe tek monumenti Nënë Shqipëri, ndërsa më vonë mësohet se do të udhëtojnë drejt Vlorës për të kremtuar atje Ditën e Pavarësisë.
"Sot kemi rastin të kthejmë në memorien tonë, më shumë se kurrë, veprën e atdhetarëve tanë, të cilët me sakrificën e tyre bënë të mundur që në këtë ditë të kemi një Shqipëri demokratike, si anëtare e denjë e aleancës së NATO-s", deklaroi Presidenti Topi në fjalën përshëndetëse të tij.

Ndërkohë, Kryeministri Berisha vlerësoi veprën e Ismail Qemalit dhe atdhetarëve të tjerë që sakrifikuan jetën e tyre në Luftën e Dytë Botërore.

"Sot është ditëlindja e kombit. Është dita e nderimit më të madh për Ismail Qemalin, i cili themeloi Shqipërinë e Pavarur pas përpjekjesh të mëdha dhjetëra vjeçare. Është dita e djemve dhe e vajzave shqiptare që u përballën me barbarët e nazizmit gjerman. Sot ne kremtojmë ditëlindjen e kombit dhe heroizmin e përpjekjen e heronjve tanë në Luftën e Dytë Botërore. Zoti e bekoftë flamurin e kombit tonë", ishte urimi i Kryeministrit Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›