Harta e vlerës së tokave turistike ngec në qeveri
Erald Kapri
Harta e vlerës për tokat turistike ka ngecur në vend nga qeveria. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është në pritje të miratimit të fillimit të punës nga ana e Këshillit të Rregullim Territorit të Republikës së Shqipërisë, i cili drejtohet nga kryeministri Sali Berisha. Sipas metodikës së hartimit të çmimeve, është parashikuar se procesi duket të nisë pikërisht nga KRRTRSH-ja, por që ende planet kanë mbetur në mes. Nga mosmiratimi i hartës së vlerës së tokës në zonat turistike, praktikisht mbyllet rruga e procesit për kompensimin e ish-pronarëve. Sipas ligjit, subjektet e shpronësuara do të kompensohen financiarisht, por që prioritet do të jetë kompensimi fizik. Ky kompensim do të behet në tokat turistike dhe mosmiratimi i hartës së vlerës në këto zona do të thotë praktikisht që procesi ka ngecur. “Jemi në pritje të vendimit të KRRTRSH-së. Me sinjalin e saj ne do të nisim punën për hartimin e vlerës së tokës në mbarë tokat turistike”, - shprehet Genci Çelo, zëvendësdrejtor i ZKKP-së. Aktualisht Agjencia është në pritje të përcaktimit të fondit financiar për vitin 2008 si dhe për rritjen e fondit fizik. Ministritë janë duke përcaktuar mundësitë për fond fizik. “Jemi në pritje që të përcaktohen fondet përkatëse si ai fizik, por edhe financiar. Më pas AKKP-ja bën edhe shpërndarjen përkatëse”, - shprehet më tej Çelo. Pasi miratohen nga Këshilli i Ministrave, pasuritë në fjalë do të administrohen dhe shpërndahen nga Agjencia e Pronave në favor të ish-pronarëve. Krijimi i fondit fizik të kompensimit, në fakt, është cilësuar nga AKKP-ja si burimi më i madh për përmbylljen e procesit të kompensimit.
Harta
Burimet pranë ekspertëve të qeverisë kanë bërë të ditur se janë në përfundim dhe të studimit për zonat turistike. Gjithsesi, mësohet se në hartën për këto zona kanë lindur një sërë problemesh që lidhen me vjeljen e të dhënave prej strukturave përkatëse, qoftë ato private, qoftë ato shtetërore. Sipas AKKP-së, hartat e çmimeve për këto zona janë të nevojshme jo vetëm për të përfunduar studimin, por dhe për t’i hapur rrugën e plotë nisjes së kompensimit fizik të ish-pronarëve. Sipas qeverisë, në zonat turistike ka sipërfaqe toke të lira që do të shërbejnë për kompensimin. Mungesa e hartës së vlerës së tokës në zonat turistike bën që të mos nisë kthimi fizik i pronave. Gjithsesi, theksohet se gjatë muajit të ardhshëm do të ketë një vendim final që do të mbyllë dhe diskutimin për hartën e pronave. Nga ana tjetër, në Parlament ka nisur dhe debati për të rishikuar dhe metodikën për hartimin e çmimeve të tokave, kjo pasi për deputetët çmimet shpesh janë dhe më të larta nga sa shiten tokat në tregun e lirë.
Kompensimi
Sipas projektvendimit, subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është e njohur e gjitha për kompensim dhe që nuk kanë përfituar nga kompensimet e mëparshme, të kompensohen, sipas radhës kronologjike të përcaktuara nga numri i vendimit sipas viteve. Vlera e kompensimit të jetë deri në 200 m2 të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës së miratuar, sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Ndërkaq, subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 e 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë, pranë zyrës së AKKP-së në qendër, dokumentacionin e plotë. Në këtë dokumentacion përfshihet kërkesa për kompensim financiar, sipas një formulari model, deklaratën për pranimin e kritereve për kompensim sipas vendimit përkatës së Këshillit të Ministrave dhe kushte të tjera që lidhen me kriteret. Po ashtu, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ose Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për njohjen dhe kompensimin e pronës, së bashku me plan-vendosjen përkatëse, dëshminë e trashëgimisë, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, si tagër më se i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të subjektit të shpronësuar. Në vazhdim subjekti duhet të dorëzojë fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit (letërnjoftim, pasaportë) ose certifikatë lindje të personit, që ka prokurën e përfaqësimit si dhe mandatpagesën.
Qarqet ku harta e tokës është miratuar plotësisht ose pjesërisht
Qeveria ka miratuar përfundimisht hartën e vlerës së tokës në rrethet kryesore, pikërisht atje ku problemi i pronësisë është edhe më i ndjeshëm. Tashmë ka përfunduar harta e vlerës së tokës në disa qytete problematike si Elbasani, ndërkohë që në shumë të tjera është plotësuar përfundimisht. Njëkohësisht harta është rishikuar në shumë zona në disa qytete kryesore. Qeveria, me anë të vendimeve, ka miratuar hartat të cilat do të shërbejnë për çdo aktivitet si kompensimi i ish-pronarëve, shpronësimet për ndërtime publike apo aktivitete të tjera që ndërmerr qeveria me tokën.
Fier
Në Bashkinë e Fierit, e cila ndahet në 5 zona, vlera nuk kalon shifrën e 26 mijë lekëve. Zona e parë ka vlerën maksimale prej 26 mijë lekësh, zona e dytë ka një vlerë prej 20 mijë lekësh. Zona e tretë ka një vlerë prej 19 mijë lekësh, zona e katërt ka një vlerë prej 17 mijë lekësh dhe zona e pestë ka një vlerë prej së njëjtës vlerë, 17 mijë lekë. Në hartë e vlerës janë edhe komunat përkatëse të qarkut të Fierit si dhe Bashkia e Lushnjës. Lushnja është e ndarë në katër zona, me vlera maksimale prej 20 mijë lekësh dhe vlerë minimale prej 13 mijë lekësh.
Elbasan
Vlera e tokës në Bashkinë e Elbasanit është përcaktuar më vete për çdo lagje në këtë bashki. Përkatësisht vlerat janë përcaktuar për lagjen “11 Nëntori” 25 mijë lekë, “5 Maji” 23 mijë lekë, “A. Pasha” 17 mijë lekë, “B. Dardha” 24 mijë lekë, “Brigada 17 Sulmuese” 19 mijë lekë, “Çlirimi” 17 mijë lekë, “E. Matraxhiu” 12 mijë lekë, “Haxhias” 18 mijë lekë, “Hekurudha” 10 mijë lekë, “Kalaja” 29 mijë lekë, “Kongresi i Elbasanit” 22 mijë lekë, “L. Gurakuqi” 20 mijë lekë, “Partizani” 20 mijë lekë, “Q. Stafa” 21 mijë lekë, “S. Dylgjeri” 23 mijë lekë, “S. Papri” 22 mijë lekë, “Shënkoll” 9 mijë lekë, “Skënderbej” 9 mijë lekë dhe “V. Xhuvani” 24 mijë lekë.
Bashkia e Peqinit ka një vlerë prej 2398 lekësh, Gramshi 2956 lekësh, Përrenjasi 3620 lekë.
Durrës
Bashkia e Durrësit është e ndarë në 10 zona. Zona 1 ka një vlerë prej 44 mijë lekësh, zona 2 ka një vlerë prej 35 899 lekësh, zona 3 prej 36 912 lekësh, zona 4 prej 37 262 lekësh, zona 5 prej 31 054 lekësh, zona 6 prej 20 466 lekësh, zona 7 prej 34 237 lekësh, zona 8 prej 28 308 lekësh, zona 9 prej 20 454 lekësh dhe zona 10 prej 22 664 lekësh. Bashkia Manëz ka vlerën minimale prej 786 lekësh dhe maksimale prej 2216 lekësh. Bashkia Sukth është e ndarë në 5 zona, ku vlera maksimale arrin në 3239 lekë. Të njëjtat vlera ka edhe Bashkia e Shijakut dhe ajo e Fushë-Krujës, ndërsa Bashkia e Krujës ka vlera maksimale prej 5 731 lekësh.
Shkodër
Qarku i Shkodrës është përfunduar i gjithi dhe është miratuar nga qeveria. Bashkia Shkodër është e ndarë në 3 zona. Në zonën e parë vlera e tokës arrin vlerën e 31 753 lekëve, në zonën e dytë vlera e tokës arrin në 21 564 lekë dhe në zonën e tretë arrin në vlerën e 13 429 lekëve. Në këtë hartë janë përfshirë të gjitha bashkitë në qarkun e Shkodrës.
Vlorë
Në Bashkinë e Sarandës janë edhe vlerat më të larta të truallit, të cilat përsëri konsiderohen si vlera të ulëta. Bashkia e Sarandës është ndarë në 5 zona, ku zona e parë ka një vlerë prej 19561 lekësh, zona e dytë ka një vlerë prej 25479 lekësh, zona e tretë ka një vlerë prej 16 979 lekësh dhe zona e katërt ka një vlerë prej 17 427 lekësh. Njëkohësisht për pjesën periferike janë shënuar disa vlera si në Shelegar, ku trualli ka një vlerë qesharake prej 475 lekësh, në Metoq 1584, në Gjashtë 1425. Bashkia e Delvinës ka një vlerë për truallin prej 2638 lekësh, Bashkia Konispol ka një vlerë prej 2851 lekësh dhe në afërsi të Konispolit, në Ciflik, toka nuk vlen më shumë se 925 lekë. Komuna Ksamil ka një vlerë prej 3686 lekësh.
Lezha
Sipas hartës së çmimeve për këtë qark, vihet re se çmimet më të larta janë për ato toka në qendër të qytetit, pra lagjet brenda Lezhës, ku vlera maksimale arrin në 28 740 lekë/m2 dhe çmimi minimal në 24 249 l/m2. Po ashtu, për qarkun e Lezhës janë fiksuar edhe çmimet e tokave në Laç, ku çmimi i përcaktuar për zonat urbane arrin në vlerën 21 44 lekë/m2 dhe çmimi për zonat industriale arrin në vlerën 347 lekë/m2. Po ashtu, për këtë qark, AKKP-ja ka përcaktuar edhe çmimin e tokës për zonat turistike, çmim i cili llogaritet në 208 euro/m2.
Korçë
Për këtë qark spikatin çmimet më të larta për ato zona brenda qytetit, të përqendruara në qendër të tij. Në bazë të hartës së këtij qarku, çmimi më i lartë i tokës rezulton të jetë 27 353 lekë/m2 dhe ai minimal 18 737 lekë/m2. Po ashtu, për qarkun e Korçës janë përcaktuar edhe çmimet respektive për tokat bujqësore, si dhe për trojet në zonat rurale. Përkatësisht, çmimi minimal për tokat bujqësore në këtë qark arrin në 80 lekë/m2 dhe çmimi maksimal 1140 lekë/m2. Ndërsa çmimi minimal i trojeve rurale arrin në 600 lekë/m2 dhe çmimi maksimal 3060 lekë/m2.
Kukës
Për qarkun e Kukësit janë miratuar hartat dhe për qytetin e Bajram Currit dhe atë të Hasit. Në këtë qark vlera sipas çmimeve të përcaktuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vlera minimale e tokës bujqësore llogaritet në 100 lekë/m2 dhe vlera maksimale në 300 lekë/m2. Kurse për trojet bujqësore vlera minimale për qarkun e Kukësit llogaritet në 240 lekë/m2 dhe ajo maksimale 2200 lekë/m2.
Dibër
Çmimi minimal tokë-bujqësore në qarkun Dibër arrin në 70 lekë/m2, ndërsa çmimi maksimal tokë-bujqësore në 350 lekë/m2. Kurse çmimi minimal troje-rurale është 600 lekë/m2 dhe çmimi maksimal 1260 lekë/m2.
Lezhë
Çmimi minimal i tokës bujqësore në qarkun Lezhë është 100 lekë/m2 dhe çmimi maksimal tokë-bujqësore është 470 lekë/m2. Kurse për troje rurale çmimi minimal është 600 lekë/m2 dhe çmimi maksimal 1360 lekë/m2.
Korçë
Çmimi minimal tokë-bujqësore për qarkun e Korçës është 80 lekë/m2 dhe çmimi maksimal tokë-bujqësore është 1140 lekë/m2. Ndërsa çmimi minimal troje-rurale llogaritet në 600 l/m2 dhe çmimi maksimal 3060 l/m2.
Mbivendosja e pronave, vendim për të ndaluar abuzimet
Qeveria ka miratuar një vendim të veçantë mbi administrimin e informacionit hartografik të përfituar nga fotografimi ajror dixhital i territorit të Shqipërisë. Mbivendosja e pronave, ndërtimet pa leje, shtesat pa leje, regjistrime të paligjshme të pasurisë etj., do të jenë vështirë të realizohen pavarësisht shmangies së zbatimit të ligjit. Agjencia e Legalizimeve ka fotografuar vendin dhe territorin në çdo skaj të tij në mënyrë dixhitale dhe kjo do të thotë një informacion i rrallë. Pikërisht ky informacion do të përdoret për shumë qëllime. Qeveria miratoi ditën e djeshme një projektvendim që përcakton administrimin e këtij informacioni të rrallë që është krijuar nga fotografimi ajror dixhital i territorit. Çdo institucion do t’i referohet kësaj harte si unike dhe të vetme çka do të thotë një standard i vetëm në fushën e territorit. Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të regjistrojnë një pasuri pa parë këtë hartë, ashtu si nuk do të legalizohet një shtëpi, ashtu siç nuk do të miratohet ndonjë shtesë ndërtimi pa leje pasi harta dixhitale nuk mund të korruptohet si ndonjë burokrat. Informacioni mbi territorin do të jetë në një formë të vetme çka tashmë do të ndalojë mundësinë teknikë që të abuzohet me territorin në çdo formë.
6 Maj 2008