E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Rama, polemika edhe në Ditën e Dëshmorëve



Përplasjet midis LSI-së dhe PS-së nuk kanë munguar as në ditën përkujtimore të dëshmorëve. Meta dhe Rama kanë kryer homazhe të veçuara për të nderuar kujtimin e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë. Kreu i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi dhe deputetë të tjerë të PS-së, vendosën kurora me lule te busti i Nënës Shqipëri. Duke folur për festën e 5 Majit, Rama tha: “Kjo është dita për të kujtuar ata që ranë për idealet e lirisë, barazisë, vëllazërimit. Njëkohësisht është dita për të nënvizuar vullnetin që këto ideale të mbeten pjesë dhe arsye e angazhimit të përditshëm, në mënyrë që çdo njeri të jetë i lirë, në mënyrë që për çdo njeri të ketë barazi mundësish dhe shansesh, në mënyrë që çdo njeri në nevojë të ketë solidaritetin vëllazëror të Shqipërisë”. Ndërkohë, lideri i LSI-së, Ilir Meta, tha se LSI-ja dhe gjithë populli shqiptar nderon me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata dëshmorë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Meta tha se LSI-ja nuk do të lejonte hedhjen baltë ndaj idealeve dhe sakrificës sublime të bërë nga mijëra dëshmorë shqiptarë. Madje për këtë ai akuzoi edhe kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili gjatë viteve të para të tranzicionit e ka cilësuar Luftën Nacional-Çlirimtar si luftë civile, madje kishte kërkuar edhe nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Socialiste. “Unë kam disa ditë që i kam kërkuar takim kryetarit të Partisë Socialiste, për të cilin dhe jam tronditur sot kur kam parë disa pasazhe nga libri i tij “Refleksione”, që e ka quajtur Luftën Nacional-Çlirimtare një luftë civile. Merreni dhe referojuni dhe që ka kërkuar nxjerrjen jashtë ligjit të Partisë Socialiste. Por këto janë çështjet të tij, nuk më intereson dhe janë probleme të vetë Partisë Socialiste. E vërteta është që sot u vunë ca kurora tradhtie nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Kurora tradhtie ndaj popullit shqiptar. Kurora tradhtie ndaj vullnetit të popullit shqiptar për të jetuar i lirë e me dinjitet, për të qenë zot i fateve të veta. Këtu u vunë kurora tradhtie nga ata që betonuan në 21 prill pushtetin e kryeministrit Sali Berisha, në kundërshtim me Republikën Parlamentare, duke e vënë Parlamentin nën thundrën e Sali Berishës. Prandaj ne jemi sot këtu për t’u thënë të gjithë shqiptarëve të bashkohemi për të rifituar lirinë dhe dinjitetin tonë, që s’mund ta nëpërkëmbë as Sali Rama dhe as Sali Berisha”, - u shpreh Meta.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›