Kroacia dhe Shqipëria, lob të përbashkët për në NATO
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur ditën e djeshme në një vizitë zyrtare homologun e saj kroat, Luka Bebiç. Topalli dhe Bebiç uruan njëri-tjetrin për ftesën që Kroacia dhe Shqipëria morën për anëtarësim në NATO gjatë Samitit të Bukureshtit, duke e konsideruar atë një arritje. Bashkëbiseduesit diskutuan gjerësisht dhe ranë dakord për idenë e zotit Bebiç për t’iu adresuar bashkërisht me anë të një letre të gjithë kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, për të përshpejtuar ratifikimin e Marrëveshjes për NATO-n. “Kryetari i Parlamentit kroat më dha një ide që unë e vlerësoj shumë: të shkruajmë një letër të përbashkët, drejtuar të gjithë kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të NATO-s, në mënyrë që, sapo të mbyllim negociatat, të ecim me një ritëm sa më të shpejtë për ratifikimin e Marrëveshjes së anëtarësimit me NATO-n. Natyrisht, biseduam për projekte të tjera të mëdha, jo vetëm për projektin adriatiko-jonian, një projekt që diskutohet prej disa kohësh, por ne biseduam edhe për vendosjen e një linje direkte Zagreb-Tiranë, për vendosjen e një linje detare midis Durrësit dhe Rijekës, si dhe për projekte të tjera të mëdha të infrastrukturës, që e bëjnë më të afërt, më konkret dhe më të ngushtë bashkëveprimin në rajon”, - tha Topalli.
6 Maj 2008