E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI, fletëpalosje në të gjithë Shqipërinë për referendumin

Qytetarët do të njihen me rrezikun e demokracisë nga ndryshimi i Kushtetutës. LSI-ja nis përgatitjet për organizimin e mitingut të 10 majit

Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim është mëse e vendosur për ta çuar deri në fund nismën e saj për organizimin e referendumit në mbrojtje të Kushtetutës. Edhe pse nuk arriti dot të sigurojë firmat dhe mbështetjen e duhur nga deputetët e Kuvendit, kryesisht nga ata të Partisë Socialiste, LSI-ja tashmë ka bërë të ditur se do t’i drejtohet popullit për të organizuar referendumin. LSI-ja ka planifikuar të fillojë shumë shpejt startimin e fushatës referendare. Kjo fushatë do të shoqërohet me shpërndarjen e fletëpalosjeve, të cilat do t’u dorëzohen të gjithë qytetarëve shqiptarë, kudo që janë. Këto fletëpalosje do të përmbajnë apelin drejtuar qytetarëve shqiptarë për t’ju bashkuar kërkesës për referendum. Në to do të shpjegohen ndryshimet që i janë bërë Kushtetutës dhe arsyet se përse ato përbëjnë rrezik për demokracinë shqiptare.
Mitingu
Sipas burime nga LSI-ja mësohet se tashmë kanë nisur përgatitjet për organizimin e mitingut madhështor për mbrojtjen e Kushtetutës. Ky miting do të zhvillohet në datën 10 maj në sheshin “Skënderbej” dhe në të pritet një pjesëmarrje masive dhe popullore. Përveç anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së si dhe partive të tjera aleate si PSD, PAD dhe PDS, në këtë miting priten të marrin pjesë dhjetëra përfaqësues të shoqërisë civile, juristë, konstitucionalistë dhe analistë, të cilët nuk janë pajtuar me ndryshimet kushtetuese, të miratuara në datën 21 prill, pas bashkimit të votave të deputetëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Pikërisht gjatë zhvillimit të këtij mitingu do të nisë edhe mbledhja e firmave të para të qytetarëve shqiptarë, të cilët do të kërkojnë referendumin për mbrojtjen e Kushtetutës.
Firmat
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, pasi dënoi lidershipin e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike se kishin ushtruar presion për të penguar deputetët e Kuvendit që t’i bashkoheshin nismës për referendum, deklaroi ditën e diel se LSI-ja do t’i kërkonte mbështetje popullit. Duke u bazuar në nenin 150 të Kushtetutës, LSI do të synojë të mbledhë minimalisht 50 mijë firma të shtetasve shqiptarë për të kërkuar referendumin. Por duket se në synimet e LSI-së kjo shifër do të jetë më e madhe. Sipas kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, do të mblidhen minimumi 500 mijë deklarata noteriale të qytetarëve shqiptarë, që kanë të drejtë vote për të kërkuar referendumin, i cili do të mbrojë lirinë e popullit shqiptar, do të mbrojë sovranitetin e tij nga nëpërkëmbja që i është bërë në natën e errët të 21 prillit. Mbledhja e këtyre deklaratave noteriale do të bëhet jo vetëm në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë, por edhe përtej kufijve si në Greqi, Itali, në Shtetet e Bashkuara, në Britaninë e Madhe, në Belgjikë, në Kanada, në të gjithë botën ku jetojnë qytetarët shqiptarë.

6 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›