E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreshnik Qato rikthehet në ring përballë Deni Gud

Boksieri i mirënjohur shqiptar, Kreshnik Qato, do të rikthehet në ring në fund të marsit, me duelin e tij kundër britanikut Deni Gud. Kjo ndeshje, që do të zhvillohet në “Kensington Taun Holl” të Londrës, do të vërë përballë 31-vjeçarit shqiptar 29-vjeçarin Gud, në një mbrëmje ku do të zhvillohen edhe tre ndeshje të tjera, të organizuar nga promotori britanik Spenser Firon i “The Real Fight Club” dhe ai shqiptar, Ylli Ndroqi, i “Yldon” Sh.p.k.

Kreshnik Qato pati mbrojtur me sukses titullin e kampionit të botës në peshën e mesme të versionit WBF, të fituar më 4 prill 2008 në Tiranë, duke triumfuar bindshëm në ndeshjen e 20 dhjetorit 2008 në Uashington, ndaj sfidantit amerikan, David Estrada. Qato fitoi falë një "knock-out"-i teknik që në raundin e gjashtë, duke ngritur peshë qindrat e shqiptarëve të pranishëm në pallatin e sportit "Burr Arena" të Universitetit të Houardit në kryeqytetin amerikan.

Në intervistën e mëposhtme, Qato flet për përgatitjet që ai po bën për ndeshjen e 27 marsit, një ndeshje kjo jo e vlefshme për titull, por për të fituar sa më shumë pikë në renditjen evropiane dhe atë botërore. Ai e vlerëson kundërshtarin, por shprehet optimist për një fitore, duke synuar gjithashtu edhe një rikthim të bujshëm me një ndeshje në ringun shqiptar vitin e ardhshëm.

- Në çfarë faze janë përgatitjet e Kreshnik Qatos për ndeshjen e 27 marsit?

- Ndeshja e 27 marsit 2009 ka një rëndësi të veçantë për mua, pasi edhe sepse nuk është një ndeshje për titull, por është thjesht për një renditje më të mirë dhe si parapërgatitje për ndeshjet pasardhëse. E rëndësishme për këtë ndeshjeje është rikthimi tek tifozeria ime këtu në Londër, të cilës i kam munguar për 16 muajsh. Prandaj edhe po përgatitem njësoj sikur do të bëj ndeshje me 12 raunde dhe deri tani jam në formë shumë të mirë. Trajnerët që punojnë me mua janë shumë optimistë dhe kjo më bën që të ndjehem shumë mirë dhe i sigurt në vetvete.

- Sa e njihin Deni Gudin dhe ku ndryshon ky kundërshtar me kundërshtarët e mëparshëm dhe në cilat aspekte?

- Dani Goode është një boksjer i rrezikshëm, sic ka dhe pseodonimin (dengeros) nuk e njoh shumë por vetëm kam parë kundërshtarët me të cilët ai ka boksuar. Kjo ndeshje për mua nuk do të ketë ndonjë ndryshim nga ndeshjet që kam bërë përkundrazi mobilizimi do të jetë akoma më i madh.

- Pas debutimit në ringun amerikan, çfarë nënkupton për Kreshnik Qaton rikthimi në ringun londinez dhe a ju mungon ringu shqiptar?

- Vërtet që në vendlindjen tënde ndjehesh më mirë, por unë e kam thënë dhe më përpara tifozët që kam në Londër më bëjnë të ndjehem njësoj si në vendlindje dhe pse kam gati 16 muaj pa bërë boks në ringun Britanik, dhe nuk gjej fjalë për ti falënderuar për mbështetjen që më japin, gjithashtu nuk dua të lë pa përmendur sponsorin tim Z. Ylli Ndroqi që më bën të mundur që unë të stërvitem në kushte shumë të mira, gjithashtu edhe pse ndeshja bëhet në Londër Z. Ndroqi nuk mundi që të rrinte i mënjanuar kundrejt faktit për të ngrejtur flamurin Shqiptar në vend të huaj, por u bë pjesë e këtij aktiviteti duke u marë me organizimin së bashku me ‘The real fight club’ dhe Spenser Fearon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›