Kreshnik Spahiu ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të KLD-së

Me shumicë votash, Kuvendi miraton shkarkimin e njeriut që kishte marrë peng sistemin e drejtësisë dhe që nëpërmjet tij, po tenton të themelojë dy plevica private politike
Kuvendi miratoi dje me 69 vota “pro” dhe 54 vota kundër raportin e paraqitur nga komisioni hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut nga posti i nënkryetarit të KLD-së.
Opozita, ndonëse nuk u bë pjesë e hetimit parlamentar votoi kundër shkarkimit të nënkryetarit të KLD-së, i cili, sipas raportit të paraqitur dje në parlament, “me dashje të drejtpërdrejtë, ka devijuar nga funksioni i tij kushtetues, duke e zëvendësuar atë me veprimtari politike”. Në përfundimet e këtij raporti, të paraqitur nga kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj, thuhet se Kreshnik Spahiu, ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdoruar kompetencat e menaxhimit administrativ dhe financiar të KLD-së. “Në analizë u mor çështja e aktivitetit me ngjyrim diplomatik. Ai herë pas herë përmes mjeteve të informimit publik ka drejtuar letra të hapura për zyrtarë të vendeve të tjera. Ai është shfaqur në këtë kontekst në mënyrë problematike sipas ligjit pasi nuk ka kompetencë për veprimtari diplomatike me jashtë. Është e qartë qëndrimi okult i tij në këtë marrëdhënie”, u shpreh Alibeaj. Sipas tij, ish zv/kryetari i KLD-së ka përdorur sjellje antidemokratike duke keqpërdorur petkun si zyrtar shtetëror. “Ka injektuar në publik një përmbajtje të rreme të ligjit duke mashtruar publikun. Ka shpërdorur postin e zyrtarit të lartë të shtetit. Ai është sjellë tej ndalimeve ligjore”, tha deputeti demokrat. Ligjvënësi i mazhorancës nënvizoi se në mosrespektim të plotë të ligjit, Spahiu publikisht ka sulmuar një ligj dhe punën e veprimtarinë e Kuvendit si organ përfaqësues. Zoti Spahiu, sipas Alibeajt ka trajtuar çështjen e Shqipërisë etnike duke idealizuar edhe ata që artikulojnë këto ide. “Shteti shqiptar dhe i gjithë rajoni është përfshirë në një ideologji krejtësisht të ndryshme nga ajo që pretendon nënkryetari i KLD-së. Ideologjia thotë se aspiratat e të gjithëve plotësohen në një hapësirë që nuk njeh kufij, ndarje etnike apo racore. Për këtë politikë të jashtme është vlerësuar ky vend në rrafshin ndërkombëtar”, tha Alibeaj sipas të cilit Spahiu devijoi nga detyra e tij kushtetuese. Kreshnik Spahiu ka abuzuar në mënyrë flagrante dhe ka shpërdorur kompetencat e menaxhimit financiar të institucionit që drejtonte. Sipas komisionit Kreshnik Spahiu është larguar me misione afatgjata dhe në mënyrë të përsëritur pa njoftuar organet Kushtetuese me të cilat lidhet ushtrimi i detyrës së tij. Raporti, krahas parlamentit, do t’i dërgohet edhe Prokurorisë për ndjekje penale të Spahiut, i cili dha dorëheqjen më 10 shkurt.