Kreshnik Spahiu kërkon procedimin disiplinor për gjyqtaren Manjola Bejlerin
Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dërgon kërkesën në KLD
TIRANE – Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetari i Këshillit ët Lartë ët Drejtësisë ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë, procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, Manjola Bejleri. Pas kësaj kërkese mësohet se Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, sikurse edhe e parashikon ligji, i ka përcjellë kërkesën zyrtare Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili pritet të marrë në shqyrtim dhe të vendosë për masën e mundshme disiplinore ndaj gjyqtares Manjola Bejleri.
Kërkesa e Kreshnik Spahiut
Kreshnik Spahiu, zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në datën 16 janar të vitit 2008, nëpërmjet një relacioni dhe dokumenteve përkatëse, i kërkon Ministrit të Drejtësisë që të nisë procedimin disiplinor ndaj gjyqtares Manjola Bejleri të Gjykatës së Shkallës së Parë të Rrethit të Tiranës.
Nëpërmjet këtij relacioni, Spahiu sqaron se, “është konstatuar se asaj (Manjola Bejlerit) i ka rënë në short për gjykim çështja civile me Nr. 2563 Prot., e vitit 2007, që i përket palëve paditëse Shoqëria Top-Channel, sh. a., etj, të paditur Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me objekt ‘detyrimin e palës së paditur të zbatojë kontratat respektive të qirasë... etj., por që nga data e shortit 07. 06. 2007, e deri në datën 02. 11. 2007, kjo çështje nuk është vënë në lëvizje për t’u gjykuar, duke përbërë shkak për procedimin disiplinor të kësaj gjyqtareje”.
Pas këtij sqarimi, zëvendëskryetari i KLD-ës, Kreshnik Spahiu, bën prezent edhe kërkesën e tij.
“Bazuar në Ligjin Nr. 8811, date 17. 05. 2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë’, neni 16, pika 1, germa ‘c’, po Ju dërgojmë relacionin dhe dokumentacionin përkatës, për t’u vlerësuar për procedimin disiplinor të gjyqtares Manjola Bejleri, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, përfundon relacioni i nënshkruar nga zëvendëskryetari i KLD-ës Kreshnik Spahiu, i cili i është dërguar Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj në 16 janar të vitit 2008.
Procedimi i Enkelejd Alibeajt
Në bazë të propozimit të zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), mësohet se Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, i ka propozuar këtij këshilli, (KLD-ës) që të shqyrtojë dhe të vendosë për masën e mundshme disiplinore ndaj Manjola Bejleri, gjyqtares së Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.
Ky veprim i Ministrit të Drejtësisë u ndërmor pas verifikimit që inspektorët e kësaj ministrie i bënë relacionit dhe dokumenteve shoqëruese të zëvendëskryetari të KLD-ës, Kreshnik Spahiu.
Së bashku me kërkesën, Ministri Enkelejd Alibeaj i ka dorëzuar KLD-ës edhe përfundimet e inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, bashkë edhe me relacionin dhe dokumentet përkatëse të zëvendëskryetarit të këtij këshilli, Kreshnik Spahiu.
Pritet që pas kërkesës së Ministrit Enkelejd Alibeaj, KLD-ja të shqyrtojë dhe të marrë një vendim për gjyqtaren Manjola Bjeleri.
Keqpërdorimi i gjyqtares që i bën shoqatës dhe anëtarëve të saj, apo marrëveshje me zëvendëskryetarin e KLD-së
Tre ditë pas kërkesës së Kreshnik Spahiut, Manjola Bejleri krijoi Shoqatën e Gjyqtarëve
TIRANE – Jo më larg se tri ditë pas kërkesë së zëvendëskryetarit të KLD-ës, Kreshnik Spahiu, për Ministrin e Drejtësisë, gjyqtarja Manjola Bjeleri i parapriu ndëshkimit të mundshëm disiplinor duke krijuar një Shoqatë Gjyqtarësh, ku edhe u vetëshpall kryetare.
Ndërsa mësohet se relacioni dhe dokumentet përkatëse të Kreshnik Spahiut për Ministrin e Drejtësisë, mban datën 16 janar 2008, tri ditë më vonë, në 19 janar 2008, mësohet se 64 firma gjyqtarësh, legalizuan Shoqatën e Gjyqtarëve dhe bashkë me këtë edhe kryetaren e kësaj shoqate, Manjola Bejlerin.
Rastësia jo aq e çuditshme e kërkesës për procedim të gjyqtares Manjola Bejleri dhe krijimi i një shoqate nga ana e saj, tre ditë më vonë, ndërsa mund të konsiderohet si një përpjekje e saj për të krijuar një mburojë, në emër të “persekutimit” si kryetare shoqate, mund edhe të lexohet si një marrëveshje me zëvendëskryetarin e KLD-ës, Kreshnik Spahiu, për të pranuar të vërë në shërbim të tij (sikurse ka ndodhur realisht) shoqatën dhe firmëtarët e saj, në përmbushje të ambicieve dhe keqpërdorimeve nga numri dy i KLD-ës. Në këmbim të këtij shërbimi politik, Kreshnik Spahiu mund ti ketë ofruar Manjola Bejlerit garanci se relacioni i tij është “sa për të thënë” dhe që nuk do i ndodhë asgjë gjatë shqyrtimit në KLD.