E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimë e shtrëngimit të rripit

Nga Dritan Ikonomi
Është thënë deri në lodhje se futbolli në Shqipëri nuk mund të jetë i ndryshëm nga mjedisi që e rrethon. Të gjithë i japin të drejtën vetes të akuzojnë e të hedhin baltë mbi këdo, pa marrë kurrë mundimin të vërtetojnë qoftë edhe një të njëmijtën e akuzave të tyre, edhe atëherë kur bëhet fjalë për simbole. Shembulli më i freskët ka ardhur dje, kur presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj, ka vendosur të pezullojë portierin Ilion Lika, kapiten i skuadrës dhe tashmë një veteran i saj, megjithë moshën ende të re. Me një të rënë të lapsit, sponsori i bluve ka fshirë nga lista një emër i cili në gjithë këto vite ka qenë në simbiozë me emrin e skuadrës. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë, të cilën presidentët kurrë nuk e shohin si trofe, por thjesht si portë hyrjeje në Kupat (fitimprurëse) të Evropës, i ka djegur gjithë planet e bluve. Faji mbetet përherë jetim dhe dështimin e paralajmëruar të këtij sezoni, drejtuesi i Dinamos ka kërkuar ta faturojë te të tjerët, pa menduar se shkel emrin dhe egon e një profesionisti që aq shumë i ka dhënë asaj skuadre, në të mirë e në të keq. Blutë e kanë paralajmëruar eliminimin e tyre me një show "alla-shqiptarce", duke akuzuar presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili, për blerje apo tentativë blerjeje të lojtarëve të tyre. Nëse Bizhdili bleu ndonjë, si shpjegohet që Dinamo luajti me formacionin tip? Nëse ishte thjesht tentativë dhe vetë lojtarët që u joshën denoncuan gjithcka, atëherë përse përjashtohet Lika dhe bëhet gati gijotina për të tjerët?. Dështimi në Kupë i ka djegur fort Dinamos, por nëse drejtuesit marrin mundimin të bëjnë thjesht një analizë sipërfaqësore, do të shohin se ky nuk është dështimi i vetëm, madje mund të konsiderohet i pritshëm. Blutë nxijnë në kampionat, pasqyra më e mirë për të parë vetveten, si pasojë e një politike të gabuar në ndërtimin e skuadrës që në fillim të sezonit, ashtu sic ka ndodhur në gjithë sezonet e fundit. Eliminimi nga Kupa (lexo Evropa) është me kosto të lartë ekonomike për xhepin e bluve dhe Lika është thjesht viktima e parë e "shtrëngimit të rripit".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›