E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështon sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak të Patosit

29/04/2010 Punonjësit e pastrim-gjelbërimit uzurpojnë sallën e Këshillit Bashkiak. Gjuajnë me vezë

PATOS- Ka dështuar sërish mbledhja e Këshillit Bashkiak në qytetin naftëtar të Patosit. Salla e mbledhjeve është pushtuar nga punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve dhe të pastrim-gjelbërimit të këtij qyteti, të cilët kanë qëndruar në pritje të startimit të mbledhjes. Këta të fundit kanë vijuar më tej me protesta brenda dhe jashtë ambienteve të bashkisë në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit dhe zvarritjes së buxhetit të bashkisë, çka ka vonuar edhe pagesat e tyre të përmuajshme. Sipas punonjësve, shkak janë bërë mosmarrëveshjet mes anëtarëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të Këshilli Bashkiak të Patosit, gjë që ka sjellë dhe vonesat në paga e shërbime të tjera ndaj komunitetit. Fillimisht në sallën e mbledhjeve kanë hyrë këshilltarët majtë, të cilët kanë qenë në pritje të nisjes së mbledhjes. Deri në këto momente gjithçka ka qenë e qetë, derisa në horizont janë shfaqur këshilltarët e djathtë, të cilët sapo kanë hyrë në derën kryesore kanë ndeshur në rezistencën e punonjësve të dy ndërmarrjeve, pastrimit dhe ujësjellësit. Këta të fundit nuk kanë lejuar që në sallë të hynin këshilltarët për shkak të debateve që kanë bërë. Ndërsa të djathtët kanë kërkuar një tjetër sallë për të zhvilluar mbledhjen në “lojë” ka hyrë Policia Bashkiake, e cila për të qetësuar situatën e agravuar nga punonjësit, nuk ka lejuar të hyjnë në ambientet e katit të dytë të bashkisë asnjë punonjës apo edhe këshilltarë. A. Damini

PUNONJËSIT

“Ne e kemi thënë edhe më parë, kujt i duhet se çfarë bën këshilli. Këshilltarët tanë po zihen si kafshë dhe nuk po mendojnë për popullin duke na lënë ne që nga janari pa rroga. Jemi më shumë se treqind punonjës, së bashku me ata të ujësjellësit dhe në fund dalim pa një lek. Kjo nuk kërkon justifikim, për asnjërin krah, por ne kemi të drejtë të kërkojmë llogari tek këshilltarët e djathtë sepse ata na sollën probleme qysh në fillim kur donin të hiqnin kryetarin e mëparshëm të Këshillit të Bashkisë Maksi Gogën. Ne të gjithë shpresojmë që të merren masa, sepse në rast të kundërt do të detyrohemi të ndërmarrim masa drastike, jo vetëm me pezullim të punës, por edhe me grevë urie pa afat”, ka deklaruar Refat Narko, një punonjës i pastrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›