PD-ja: Rama po abuzon akuzat ndaj “Durrës-Kukës”
Partia Demokratike reagoi dje në lidhje me deklaratën e PS-së për shpërdorim fondesh në rrugën Durrës-Kukës, duke pohuar se "Edi Rama, nëpërmjet megafonit të politikës së re, në mënyrë të pashpjegueshme për çdo shqiptar, prodhoi edhe një herë tërbimin e tij ndaj aortës së kombit, korridorit më të rëndësishëm rajonal". Sipas kësaj deklarate, "partia dhe qeveria socialiste u vendosi shqiptarëve një taksë të veçantë për këtë rrugë, për 4 vjet me radhë dhe rreth 300 milionë dollarë me të cilat jo vetëm nuk u ndërtua as edhe një metër rrugë, por që asnjeri nuk e di se ku përfunduan". "Për sa i përket rrugës së Arbërit, -theksohet në këtë deklarate, - me të cilën PS i mashtroi dibranët për 8 vjet rresht, i themi z. Rama, të mos ketë turp të kalojë andej, se 23 km janë në ndërtim e sipër dhe për pak muaj do të fillojë ndërtimi edhe në të gjitha segmentet e tjera”.