E Shtunë, 31 Tetor 2026

Godo, 10 ditë afat Berishës për të hyrë në qeveri



Kreu i Asamblesë paralajmëron ikjen nga koalicioni

Për postin e ministrit të ri përjashtohet vetëm Mediu

Republikanët kërcënojnë PD-në, se në rast se nuk futen në qeveri brenda 10 ditëve, do të dalin nga koalicioni i djathtë. Është vetë kryetari i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, që thyen qetësinë dhe paralajmëron se nëse Kryeministri nuk vendos për rikthimin e PR-së në qeveri brenda korrikut, atëherë do të bojkotojnë koalicionin. Në kushtet e pritjes së përgjigjes së Kryeministrit Berisha për postin që i ka rezervuar në qeveri, republikanët duket se nuk tunden nga qëndrimi i tyre për t’u bërë pjesë e kabinetit brenda korrikut, në mënyrë sa më të shpejtë të mundshme. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo, shkon deri aty sa të deklarojë bojkot të koalicionit qeveritar në rast të kundërt. “Me të vërtetë PR mbetet në një pozitë të vështirë dhe ne duhet të vëmë në diskutim pjesëmarrjen tonë në koalicionin qeveritar. Them thjesht koalicioni qeveritar, sepse ne do të jemi gjithnjë në koalicionin e djathtë. Dhe, këta që janë drejtues në PR, përjashtohet Mediu dhe përjashtohem unë, të gjithë të tjerët mund të konkurrojnë. Ne nuk kemi diskutuar, dhe jam krejt i sinqertë në këtë që them, emra individësh, sepse duam të dimë më parë dikasterin që do të na ofrohet”, - tha z. Godo. Ai shtoi se unë kam qenë gjithnjë për atë që partitë që marrin përsipër të drejtojnë një dikaster, duhet të zgjedhin njeriun që ka njohuri profesionale, kur bëhet fjalë për një dikaster me profilizim të thellë dhe të caktuar, siç janë drejtësia shëndetësia, Ministria e Bujqësisë etj. Godo pohoi se nuk pajtohem me atë mendim se ministri është një njeri politik dhe nuk ka rëndësi se cilën ministri i jepet të drejtojë. “Prandaj duhet medoemos të jetë një njeri që t’i përkasë profilit. Jam i bindur që Berisha ka ditë që kërkon të zgjidhë këtë. Mbase donte ta zgjidhte që ditën e parë të korrikut, por kanë dalë probleme të tjera para, ngjarje të ndryshme politike. Berisha e di se kjo është një çështje me shumë rëndësi. Nuk mund të ketë vakum në KM dhe nuk mund të lihet jashtë PR-ja, e cila është partia e dytë në koalicionin e djathtë me përfaqësinë e saj në Parlament dhe me peshën politike që ka. Dhe kjo, në asnjë mënyrë nuk mund të zvarritet më tej”, - deklaroi z. Godo. Në një kohë që negociatat për rikthimin e shumëkërkuar në karrigen e lënë bosh prej Mediut në kabinet vijojnë prej pothuajse një muaji, Godo deklaron se ende nuk mund të flitet për emra dhe dikastere konkrete. Kjo është lënë në dëshirën e Kryeministrit Berisha, për të piketuar dikasterin që do u lihet republikanëve. Këta të fundit nuk tërhiqen nga kushti se duan një nga ministritë kryesore, pasi sipas tyre, PR-ja është një parti me vlera dhe aleatja më e afërt e demokratëve. Kushti tjetër i drejtuesve të PR-së është dhe vendimi për t’u rikthyer në qeveri brenda kësaj legjislature, çka do të thotë një pritje vetëm prej 10 ditësh dhe asnjë më shumë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›