Opozita e ndarë, Meta fushatë në Kashar me PAD-në dhe PDS-në
Lëvizja Socialiste për Integrim, së bashku me partitë aleate PDS dhe PAD, zhvilluan një miting në mbyllje të fushatës së kandidatit të LSI-së në Kashar për zgjedhjet e 27 korrikut. Kjo fushatë ka shënuar kështu ndarjen në dy kampe të opozitës, në njërën anë Meta me dy partitë aleatë të drejtuara nga Paskal Milo dhe Neritan Ceka dhe në anën tjetër PS dhe PSD. Sipas njoftimit për shtyp të LSI-së, në këtë takim merrte pjesë lideri i LSI-së, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga drejtues të partive aleate, PDS-së dhe PAD-së. Meta duke dhënë mbështetje për kandidatin z. Bakalli është shprehur i sigurt në fitoren e tij më 27 korrik, ditën kur banorët e këtij komuniteti do të japin verdiktin e tyre për të zgjedhur kryetarin e kësaj komune. “Alfred Bakalli do të jetë i pari, jo vetëm në listën që ju do të votoni për shkak të alfabetit, por ai do të rezultojë i pari edhe në rezultatin përfundimtar si kryetar i ardhshëm i komunës suaj dhe si drejtuesi i devotshëm dhe i përkushtuar i këtij komuniteti, që ka shumë shanse për t'u zhvilluar më shpejt, por që ka edhe shumë probleme të cilat jam i bindur që kandidati ynë do t’i zgjidhë plotësisht”, - tha Meta. Kreu i LSI-së tha më tej se “tani është momenti që Kashari të japë mesazh jo vetëm për të ardhmen e tij duke votuar një figurë të re, një figurë të pastër, një njeri të ndershëm, një njeri që nuk është i lodhur, por përkundrazi, është plot energji dhe motivim për t'u shërbyer të gjithë banorëve të këtij komuniteti pa dallime partiake”. Kreu i LSI-së e cilësoi kandidatin e kësaj partie përfaqësues të një gjenerate të re.