E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkimi për Mesdheun, Shqipëria do të aplikojë në projektet për energjinë



Firmosja e hyrjes në organizatën më të re, atë të “Mesdheut”, nuk do të jetë vetëm një anëtarësim formal për Shqipërinë. Pritet që vendi ynë të nxjerrë përfitimet e para nga ky anëtarësim, që u bë realitet para pak ditësh në Paris me iniciativë të Presidentit francez, Sarkozy. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme, mësohet se autoritetet e Shqipërisë do të aplikojnë për programe mbështetëse në fushën e burimeve alternative të energjisë, si dhe në mbrojtjen e mjedisit. Statusi i Shqipërisë si anëtar me të drejta të plota në Bashkimin për Mesdheun, i finalizuar gjatë kësaj jave në Paris, ka vënë në lëvizje Tiranën zyrtare për t’u angazhuar në projektet zhvilluese që mbështeten nga ky organizëm, i cili siguron fonde financiare nga BE-ja, Banka Botërore dhe një sërë institucionesh dhe vendesh anëtare. Koordinatori i Shqipërisë në këtë Bashkim, Ferid Hoxha, shikon dy aspekte kryesore, ku vendi do të aplikojë për të marrë suport qysh në vitin e ardhshëm: "Projektet zhvilluese sidomos në krijimin e burimeve alternative të energjisë dhe në mbrojtjen e mjedisit". Në Bashkimin për Mesdheun aderojnë 44 shtete, 27 prej tyre anëtare të BE-së. Ndërkaq për Kryeministrin Sali Berisha, kjo nismë përbën "një fillim të ri dhe historik në bashkëpunimin, shkëmbimin dhe marrëdhëniet politike, ekonomike, kulturore dhe të gjithanshme, që lidhin vendet e rajonit të bregut jugor e verior të detit Mesdhe". Çështjet me të cilat do të merret bashkimi, veç energjetikës dhe mbrojtjes së mjedisit, janë dhe ato për ushqimin, arsimin, zhvillimin e burimeve njerëzore, sigurinë e fëmijëve, luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, dialogun fetar e kulturor etj. Shqipëria e shikon angazhimin e saj në Bashkimin për Mesdheun edhe si një marrëdhënie ndërkombëtare, që do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të saj në BE.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›