E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Higjienës: Do mbyllim lokalet pa tualet

SARANDE-Drejtoria e Shëndetit Publik në Sarandë do të mbyllë të gjitha lokalet që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se gjatë një kontrolli të bërë gjatë ditëve të fundit ka rezultuar se të paktën 4 lokale shërbimi nuk plotësonin kushtet.

Kreu i Drejtorisë së Higjienës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Sarandë, Jorgo Mërtiri pohon se: “Mungesa e tualeteve që është konstatuar në disa prej lokaleve të kontrolluara, është një përjashtim nga zbatimi i rregullave bazë për çeljen dhe ushtrimin e një aktiviteti në një qytet turistik si Saranda”. Nisur nga ky fakt, specialistët e Higjienës u kanë kërkuar pronarëve të këtyre lokaleve në qytetin bregdetar që të plotësojnë këtë mungesë brenda një kohe sa më të shkurtër. Në të kundërt, do të penalizohen deri në mbylljen e aktivitetit.

“Të gjesh lokale pa tualet e brenda në qytet sot, është një handikap. Çelja e çdo biznesi shoqërohet me disa leje, mes të cilave është edhe leja e shërbimit të higjienës”, - thotë Mërtiri. Sipas tij, përgjegjësi kanë edhe ato organe që e kanë lëshuar leje fiktive.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›