Meta: Rama të reflektojë për të larguar Berishën
Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje Konferencën e Dytë Zgjedhore të LSI-së për rrethin Beratit. I pranishëm në këtë konferencë, kryetari i LSI-së kërkoi reflektimin e kreut të PS-së, Edi Rama, për të larguar Berishën në vitin 2009. “Jemi në një moment kur Sali Berisha vjen duke u plakur dhe kemi thënë që këtë vit ai mbush moshën e pensionit, dhe në 2009-ën ai do të dalë me çdo kusht në pension. Unë jam i gatshëm të dalë që sot, po të bjerë dakord Edi Rama”, - tha kreu i LSI-së. Në këtë kuadër Meta shtoi se vjen edhe një moment që të gjithë ata që janë opozitarë po kuptojnë dhe po konkretizojnë, gjithnjë edhe më shumë qëndrimet e dyfishta të kryetarit të Partisë Socialiste, që e theksoj që nuk kanë asnjë lidhje me aspirata dhe mendime dhe me shqetësimet e të gjithë anëtarëve të PS-së, të cilët të jeni të sigurt që nuk i kanë pyetur asnjëherë për çështjet më të rëndësishme, kur ai ka bashkëpunuar me Berishën. Përveç kësaj, ai ka hedhur poshtë edhe kontributin, jo vetëm të partisë, por edhe përgjegjësitë e të majtës gjatë 18 vjetëve demokraci dhe pluralizëm. "Ai ka hedhur poshtë kontributin e asaj të majte që e bëri Shqipërinë, pasi e dogji Berisha në ‘97-ën. Edi Rama hedh poshtë ato vlera dhe arritje pozitive të partisë që ai drejton, e cila pa asnjë diskutim ka pasur vlera të rëndësishme në mbrojtjen e demokracisë, në rilindjen e shtetit të djegur nga Berisha, të cilit në 21 prill Edi Rama i dha po aq pushtete sa kishte në ‘97-ën. Për ato pushtete që i dha nuk pyeti anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, sepse dhe në këtë sallë ka shumë ish-anëtarë të PS-së, si puna ime, të cilët kanë luftuar në ‘94 –ën, në Berat dhe në gjithë Shqipërinë, që Sali Berisha mos t'i merrte këto pushtete me referendumin që ai provokoi", - tha Meta. Çfarë janë këto reforma që po bëhen në Shqipëri?!”, - tha Meta.