E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: G99 do të garojë në zgjedhjet e 2009-ës

G99 do të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu i këtij grupimi, Erion Veliaj, tha dje, gjatë punimeve të Asamblesë së parë Kombëtare të kësaj lëvizjeje se G99 do të jetë gjithmonë në opozitë për hir të interesave të shqiptarëve. “Do të na shikoni në atë opozitë që mbron interesat e qytetarëve shqiptarë dhe në atë opozitë e cila sot është shumë herë më e madhe se opozita e partive. Jemi gati me kandidatë konkretë, me qytetarë që do të angazhohen në çdo nivel të qeverisjes së ardhshme, me pak fjalë ne jemi gati për ndryshim”, - theksoi Erion Veliaj. Takimi u hap me miratimin zyrtar nga këshilli i G99-ës i të gjithë anëtarëve të rinj të regjistruar tek G99 dhe me pagesën e kontributeve të anëtarësisë. Pagesa e anëtarëve themelues është 5000 lekë të reja në vit ndërkohë që pagesa për të rinjtë dhe studentët është 1000 lekë. Dhurimet vullnetare për G99 u bënë edhe nëpërmjet internetit, ku G99 bëhet e para lëvizje që ofron këtë mundësi bashkëkohore në faqen e saj online. Asambleja e G99-ës u hap nga zëdhënësja e saj, Olta Xhacka, e cila ritheksoi se qëllimi i parë i G99-ës është të kontribuojë në dhënien fund të tranzicionit të stërzgjatur të Shqipërisë që mban peng të ardhmen evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›